Cassis: Zvicra mbështet reformat dhe rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian
Ministri i Punëve të Jashtme i Zvicrës, Ignazio Cassis, ka thënë se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës janë të shkëlqyera dhe kanë një histori të gjatë bashkëpunimi.
Pas takimit me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, në një konferencë për medie, Cassis ka theksuar se kjo është vizita e tij e parë në Prishtinë si anëtar i Qeverisë zvicerane.
Ai ka theksuar se Zvicra ishte ndër vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës, duke veçuar edhe lidhjet e fuqishme njerëzore që janë krijuar përmes diasporës kosovare në këtë shtet.
“Sot jam për herë të parë në Prishtinë si anëtar i Qeverisë zvicerane, ndonëse prej vitesh kemi pasur takime të vazhdueshme. Zvicra dhe Kosova kanë një histori të gjatë të marrëdhënieve intensive dhe të shkëlqyera. Ne ishim ndër vendet e para që e njohëm pavarësinë e Kosovës, që në orët e para, siç mund të thuhet, dhe lidhjet tona janë kaq të forta edhe për shkak se kemi qenë shumë të hapur për t’i hapur kufijtë për shumë njerëz nga Kosova, të cilët kanë ardhur në Zvicër për të punuar dhe për të jetuar me familjet e tyre”, ka thënë Cassis.
Ai ka përmendur edhe numrin e qytetarëve me prejardhje nga Kosova që jetojnë në Zvicër, duke thënë se bëhet fjalë për rreth 150 mijë persona.
“Ne numërojme rreth 150 mijë kosovar, gra, burra dhe fëmijë, që jetojnë në Zvicër dhe që kanë ose pasaportë kosovare, ose të paktën vijnë nga kjo trevë, ndoshta edhe para se Kosova të njihej si shtet. Kjo përbën pothuajse 10 për qind të të gjithë popullsisë, gjë që natyrshëm krijon një lidhje njerëzore jashtëzakonisht të fortë. Përpos kësaj, ata janë heronj të futbollit në vendin tonë dhe besoj se e kuptoni se çfarë dua të them me këtë”, ka thënë ai.
Ai ka bërë me dije se pret pjesëmarrjen e Kosovës në samitin e dhjetë të Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet në Cyrih në prill të vitit të ardhshëm.
“Mezi pres që ta mirëpres Kosovën në samitin e dhjetë të Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet në Cyrih në prill të vitit të ardhshëm. Jam vërtet i kënaqur që Kosova do të marrë pjesë edhe në këtë samit, siç sapo dëgjova”, ka deklaruar Cassis.
Duke folur për bashkëpunimin ekonomik, ministri i Jashtëm zviceran ka thënë se Zvicra është e pranishme që kur kishte filluar me ndihma humanitare, ndërsa më pas bashkëpunimi ishte shndërruar në partneritet afatgjatë.
“Programi i ri zviceran i bashkëpunimit, të cilin e përmendi edhe kolegu im, ministri i Jashtëm, për periudhën 2026–2029, është në zbatim të plotë, me një buxhet prej afro 20 milionë frangash në vit. Ky program u lansua në prillin e kaluar, në praninë e kryeministrit Albin Kurti. Kryeministrin e kam takuar para më pak se një ore. Ky program mbështet reformat në Kosovë dhe rrugën e saj drejt integrimit evropian. Kosova ka shënuar përparime të dukshme. Kjo do të na mundësojë që nga viti 2029 ta kalojmë bashkëpunimin tonë në një fazë të re, në një fazë të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, ku investimet, tregtia dhe krijimi i vendeve të punës do të kenë një rol të rëndësishëm dhe qendror”, ka deklaruar Cassis.
Ai ka përmendur gjithashtu Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me EFTA-n, duke vlerësuar rëndësinë e saj për zhvillimin e shkëmbimeve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.
“Krahas kësaj, ekzistojnë edhe një sërë instrumentesh që e mundësojnë këtë bashkëpunim, siç është Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me EFTA-n, e cila ka hyrë në fuqi nga 1 tetori i këtij viti dhe që ka një rol të veçantë sidomos për shërbimet, pasi shkëmbimi tregtar në fushën e shërbimeve ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës është veçanërisht intensiv, sidomos në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit (ICT), e cila është një industri e rëndësishme dhe në të cilën kemi bashkëpunim të mirë”, tha ai.



