NACIONALE

BE-ja për Kosovën: Gjyqësori nën ndikim, korrupsioni mbetet problem

Komisioni Evropian ka publikuar Raportin për Kosovën 2026, në të cilin evidenton mangësi serioze në funksionimin e sistemit të drejtësisë, luftën kundër korrupsionit, administratën publike dhe zhvillimin ekonomik.

Vlerësimi më kritik i raportit lidhet me gjyqësorin, për të cilin Komisioni konstaton se Kosova nuk ka shënuar përparim gjatë periudhës së raportimit.

“Kosova në përgjithësi nuk ka shënuar përparim në funksionimin e gjyqësorit. Ndikimi i papërshtatshëm nga elementë të brendshëm dhe të ndryshëm të jashtëm, siç janë interesat politike dhe ekonomike, jo vetëm që mbetet pengesë e rëndësishme për pavarësinë dhe paanshmërinë, por në disa aspekte është intensifikuar”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.

Sipas raportit, mungesa e reformave të nevojshme dhe mosmiratimi i paketës së projektligjeve për sistemin e drejtësisë kanë penguar forcimin e llogaridhënies dhe efikasitetit të gjyqësorit dhe prokurorisë.

Një tjetër vlerësim kritik i Komisionit Evropian ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit. Raporti evidenton dallime të mëdha në rezultatet e institucioneve, varësisht nga niveli i zyrtarëve të përfshirë në rastet e korrupsionit.

“Sa u përket rasteve të korrupsionit që nuk janë të nivelit të lartë, vendimet përfundimtare gjyqësore dhe dënimet janë rritur ndjeshëm. Megjithatë, ka pasur rënie të numrit të vendimeve përfundimtare gjyqësore dhe dënimeve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë”, thuhet në raport.

Komisioni thekson gjithashtu se Kosova ende nuk ka një strategji gjithëpërfshirëse për luftimin e korrupsionit.

“Kosova ende nuk ka një kornizë strategjike gjithëpërfshirëse për trajtimin e korrupsionit dhe nuk ekziston një qasje koherente për forcimin e përpjekjeve kundër korrupsionit”, vlerëson dokumenti.

Në anën tjetër, raporti evidenton si zhvillim pozitiv rritjen e raportimeve të sinjalizuesve pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, të cilat pothuajse janë dyfishuar krahasuar me vitin paraprak.

Kriza politike ndikoi në funksionimin e institucioneve

Në kapitullin për demokracinë, Komisioni Evropian vë në pah fragmentarizimin politik dhe pasojat e krizës institucionale.

Raporti konstaton se Kosova u përball me dy palë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe dështimin për zgjedhjen e Presidentit, ndërsa Qeveria funksionoi në detyrë për pjesën më të madhe të periudhës së raportimit.

Komisioni thekson se “Përparimi mbetet i pabarabartë për shkak të jostabilitetit dhe bllokadës politike”.

Një tregues tjetër shqetësues është pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje. Sipas raportit, pjesëmarrja ra nga 45 për qind në zgjedhjet e dhjetorit 2025 në 37 për qind në zgjedhjet e qershorit 2026.

Komisioni e lidh këtë rënie me lodhjen në rritje të votuesve dhe pakënaqësinë publike për shkak të shpeshtësisë së proceseve zgjedhore.

Raporti trajton edhe operacionet e institucioneve të Kosovës në veri, duke ngritur shqetësime për mbrojtjen e pronës private dhe respektimin e procedurave ligjore.

“Operacionet e fundit të zbatimit të ligjit në veri të Kosovës, përfshirë rrënimin e pronave private pa respektimin e duhur të procedurave ligjore, tregojnë mangësi në mbrojtjen efektive të të drejtave pronësore”, thuhet në raport.

Komisioni shton se masat e pakthyeshme po zbatohen ndërkohë që kontestet gjyqësore ende janë në pritje të vendimeve, duke ngritur shqetësime për qasjen në mjete juridike efektive.

Papunësia dhe ndërmarrjet publike, sfida për ekonominë

Në aspektin ekonomik, Komisioni vlerëson se Kosova ka shënuar njëfarë përparimi në zhvillimin e ekonomisë funksionale të tregut, por vazhdon të përballet me probleme strukturore.

“Tregu i punës karakterizohet nga pjesëmarrja e ulët dhe normat ende të larta të papunësisë, veçanërisht te gratë dhe grupet e cenueshme”, thuhet në raport.

Komisioni evidenton gjithashtu problemet me bazën e ngushtë tatimore, menaxhimin joefikas të investimeve publike, orientimin e dobët të përfitimeve sociale dhe performancën financiare të ndërmarrjeve publike.

Sa i përket konkurrueshmërisë, raporti thekson se sistemi arsimor nuk është mjaftueshëm i përafruar me nevojat e tregut të punës, ndërsa përparimi në infrastrukturën e transportit dhe zgjerimin e burimeve të energjisë së ripërtëritshme mbetet i kufizuar.

BE-ja kërkon reforma konkrete

Në rekomandimet për periudhën e ardhshme, Komisioni Evropian kërkon nga institucionet e Kosovës forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, rritjen e efikasitetit të hetimeve për korrupsionin e nivelit të lartë dhe miratimin e strategjisë kombëtare kundër korrupsionit për periudhën 2026–2028.

Ndër prioritetet e tjera janë profesionalizimi i administratës publike, mbrojtja e gazetarëve, përmirësimi i menaxhimit të financave publike dhe përafrimi i sistemit arsimor me kërkesat e ekonomisë.

Pavarësisht kritikave, Komisioni konstaton se integrimi evropian vazhdon të jetë objektiv strategjik i Kosovës dhe se ky proces gëzon mbështetje të gjerë në shoqëri dhe në spektrin politik.

Megjithatë, raporti e bën të qartë se deklaratat politike për integrim evropian duhet të shoqërohen me reforma konkrete dhe rezultate të matshme në funksionimin e institucioneve.

Related Articles

Back to top button
error: JO !!