Ahmeti: Diaspora ka sjellë mbi 19 miliardë euro, pretendimet për “joshje” me 2 milionë janë propagandë
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Ejup Ahmeti, i cili mban numrin 54 në listën zgjedhore, ka reaguar ndaj kritikave të opozitës dhe pretendimeve se Qeveria po tenton ta “joshë” diasporën me ndarjen e 2 milionë eurove për linjat ajrore.
Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Ahmeti i ka cilësuar këto deklarata si propagandë, duke paraqitur shifra që, sipas tij, dëshmojnë rolin vendimtar të diasporës në ekonominë e Kosovës.
Sipas Ahmetit, nga viti 2000 deri në vitin 2025, diaspora ka sjellë në Kosovë rreth 19.2 miliardë euro vetëm përmes remitancave.
“Krejt buxheti i Kosovës për këto 25 vite ka qenë rreth 42.5 miliardë euro. Domethënë, veç remitancat e diasporës janë afro 45% e krejt buxhetit të shtetit për 25 vite”, u shpreh ai.
Ai shtoi se kontributi i mërgatës është edhe më i madh nëse përfshihen investimet, bizneset, ndërtimet dhe shpenzimet gjatë pushimeve dhe festave.
“Nëse rrimë modestë dhe i shtojmë edhe një 20% tjera prej investimeve, bizneseve, ndërtimeve e shpenzimeve gjatë verës e festave, i bie që diaspora e ka mbushur ekonominë e Kosovës me mbi 23 miliardë euro”, deklaroi Ahmeti.
Në fund, kandidati i LVV-së bëri një krahasim mes shumës prej 2 milionë eurosh dhe remitancave të diasporës, duke kundërshtuar pretendimet se bëhet fjalë për “joshje” elektorale.
“A e dini sa i bie 2 milionëshi karshi 19.2 miliardëve? Hiç më shumë se rreth 0.01%. Na sa të kemi ymer, i jemi borxhli diasporës. Kështu që, qitja pikën kësaj teme dhe mos bjer pre e propagandës”, përfundoi Ejup Ahmeti.




