10 euro për veturat që hyjnë në Prishtinë e 1 euro për personat që e kalojnë natën
Qytetarët e komunave të tjera mund të detyrohen së shpejti të paguajnë 10 euro për hyrje me automjet në qendër të Prishtinës, nëse miratohen ndryshimet e reja të propozuara nga Komuna. Këtë javë, autoritetet e kryeqytetit i kanë vënë propozimet në platformën për konsultime publik, dhe do t’i procedojnë për miratim pas datës 24 qershor. Krahas taksës për automjete, draft-rregullorja parasheh edhe pagesë prej një euro për çdo natë akomodimi të qytetarëve në Prishtinë. Qytetarë e aktivistë janë shprehur kundër kësaj nisme
Komuna e Prishtinës ka nisur procedurat finale për ta jetësuar nismën për vendosje të taksës prej 10 eurosh secilit qytetar që nuk është rezident në kryeqytet, e që hyn me automjet në qendër. Krahas kësaj, ka paraparë taksë edhe për ata që nuk hyjnë me automjet, por e kalojnë natën në Prishtinë.
Politika është prezantuar në draftin që përmban ndryshimet në Rregulloren për tarifat, ngarkesat dhe gjobat komunale, dokument të cilin këtë javë Komuna e ka vënë në platformën për konsultime publike.
“Çdo automjet i regjistruar jashtë territorit të kryeqytetit, që hyn në zonën e përcaktuar nga Kryeqyteti, i nënshtrohet pagesës së taksës në shumën prej 10 (dhjetë) euro për hyrje. Pagesa e taksës realizohet: përmes pikave të autorizuara hyrëse; përmes sistemit elektronik të pagesës; ose përmes platformave të tjera të miratuara nga Kryeqyteti”, thuhet në dokumentin me ndryshimet e propozuara për Rregulloren për tarifat.
Nga pagesa e kësaj takse parashihet të përjashtohen: automjetet e shërbimeve emergjente, si autoambulanca e mjetet e zjarrfikësve dhe policisë, pastaj automjetet e institucioneve publike në kryerje të detyrës zyrtare, automjetet e banorëve rezidentë të kryeqytetit që posedojnë dëshmi të vlefshme; si dhe automjetet për kategori të tjera të përcaktuara me vendim të veçantë të Kryetarit të Prishtinës.
Bazuar në dokument, mospagesa e taksës prej 10 eurosh për automjet, përbën kundërvajtje dhe sanksionohet me gjobë. Por, lartësia e gjobës nuk është përshkruar.
Ndryshimet në Rregulloren për tarifat, ngarkesat dhe gjobat komunale përfshijnë edhe një taksë të re.
Neni 9 i draftit të rregullores përcakton që qytetarët e Kosovës dhe të huajt që qëndrojnë gjatë natës në një strukturë akomoduese jashtë vendbanimit të tyre paguajnë taksën e akomodimit prej një eurosh për natë. Këtë do ta bëjnë qoftë në hotel apo objekt tjetër akomodimi.
“Taksa arkëtohet nga subjekti hotelier në momentin e pagesës së shërbimit të akomodimit. Shuma e taksës paraqitet si pikë e veçantë në faturë. Subjekti hotelier vepron si mbledhës i taksës në emër të Komunës”, thuhet në draft-dokument./Koha.net/




