Kosova dhe Suedia synojnë thellimin e bashkëpunimit ekonomik
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka pritur në takim ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Åsa Pehrson, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, si dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Përmes një postimi në Facebook, Kusari-Lila ka bërë të ditur se gjatë takimit e ka falënderuar ambasadoren për mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë për Kosovën, veçanërisht në fushën e demokratizimit dhe mbrojtjes së mjedisit.
Një vëmendje e veçantë gjatë diskutimit i është kushtuar industrisë së drurit, sektor të cilin ministrja e ka vlerësuar me potencial të madh për rritjen e prodhimit dhe eksporteve të Kosovës.
Në këtë kontekst, Kusari-Lila ka theksuar rëndësinë e Konventës së 9-të të Industrisë së Drurit, e cila do të mbahet më 26 nëntor, si dhe vizitës së paralajmëruar të një delegacioni të bizneseve suedeze në Kosovë.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për zhvillimin e parqeve industriale dhe krijimin e kushteve më të favorshme për prodhuesit vendorë dhe investitorët e rinj.
Kusari-Lila ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Ambasadën e Suedisë dhe Odën Ekonomike Nordike do të punohet në promovimin e Kosovës si destinacion për investime dhe zhvillimin e veprimtarisë prodhuese nga bizneset suedeze.



