NACIONALE

Kurti pas votimit të Ligjit për Byronë: Na vonuan për më shumë se tre vjet, por nuk do të na ndalin në synimin tonë të drejtë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur miratimin në lexim të dytë të Ligjit për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke theksuar se ky proces është penguar për më shumë se tre vjet e gjysmë nga kontestimet në Gjykatën Kushtetuese.

Përmes një reagimi në Facebook, Kurti rikujtoi se ligji ishte dërguar dy herë në Gjykatën Kushtetuese, fillimisht në shkurt të vitit 2023 dhe më pas në dhjetor të vitit 2024, pasi ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës.

Ai falënderoi deputetët për votimin e ligjit, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sundimit të ligjit dhe luftimit të pasurimit të pajustifikueshëm.

“Na vonuan për më shumë se tre vjet e gjysmë, por nuk do të na ndalin në synimin tonë të drejtë e të shumëpritur që pasurimi në Republikën tonë të jetë i drejtë, i pastër dhe në përputhje me të hyrat”, ka shkruar Kurti.

Sipas kryeministrit, funksionalizimi i Byrosë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme mbetet një nga prioritetet e qeverisë për të garantuar transparencë, përgjegjësi dhe integritet në jetën publike.

Related Articles

Back to top button
error: JO !!