OPINIONE
Shkruan Dardan Sejdiu: Zjarri i Tiranës dhe durimi i Prishtinës
Shkruan: Dardan Sejdiu
Në Tiranë, këto ditë, pakënaqësia ka dalë prej raporteve statistikore dhe ka hy në rrugë.
Studentë, të rinj, qytetarë. Një protestë që ka nisë me universitetin, koston e studimeve, mungesën e mbështetjes dhe perspektivën e dobët pas diplomimit, e që shumë shpejt është lidhë me korrupsionin, privilegjin, pronën dhe ndjenjën se mundësitë në Shqipëri nuk po ndahen njësoj.
Projekti luksoz në Zvërrnec mund të ketë qenë një prej shkëndijave. Por benzina duket se është mbledhë shumë më herët.
Shqipëria është sot një vend interesant për me e pa këtë kontrast. Ka pasuri që shihet. Ka ndërtim. Ka bregdet që kushton gjithnjë e më shumë. Ka turizëm. Ka vetura luksoze, restorante ekskluzive, kulla gjigante dhe një Tiranë që dëshiron me u duk si metropol evropian.
Veçse, në të njëjtën Shqipëri, 19 për qind e popullsisë ishte në rrezik varfërie në vitin 2025 dhe 31.2 për qind jetonte në privim të rëndë material dhe social, sipas INSTAT-it. Këtu fillon problemi.
Qytetarët nuk revoltohen vetëm kur s’kanë. Qytetarët revoltohen edhe kur shohin se dikush ka shumë, se rreth tyre po krijohet pasuri, por puna e tyre nuk po mjafton me ble as sigurinë minimale. Kur banesa çdo ditë shtrenjëtohet, shkolla dobësohet, puna nuk jep perspektivë dhe ndërkohë sheh një shtresë tjetër që jeton në një realitet krejt tjetër.
Varfëria është problem ekonomik. Por ndjenja se loja është e kurdisur bëhet problem politik.
Dhe për këtë arsye Tirana duhet me na interesu edhe neve në Prishtinë. Jo sepse Kosova është Shqipëri.
Nuk është.
Por sepse edhe këtu kemi një pyetje që ia vlen me e ba: me gjithë presionin ekonomik që po e ndjen secili qytetar dhe familja kosovare, pse ky presion nuk po prodhon më shumë tension shoqëror e social?
Në shtator, inflacioni vjetor në Kosovë ishte 6.7 % . Banimi, uji, energjia dhe lëndët djegëse ishin 15.2 % më shtrenjtë se një vit më parë. Transporti 10.5 %. Ndërkohë, paga mesatare neto në sektorin privat gjatë vitit 2025 ishte afër 600 euro, sipas ASK-së.
Por problemi i familjes kosovare nuk përfundon te marketi i lagjës. Nëse nesër dikush në familje sëmuret rëndë, çka ndodh?
Komisioni Evropian vlerëson se rreth 40 për qind e shpenzimeve shëndetësore në Kosovë paguhen direkt prej xhepit të qytetarit. Përparimi drejt mbulimit universal shëndetësor mbetet shumë i kufizuar.
Pra, klasa e mesme paguan tatimin. Pastaj paguan prapë edhe për mjekun e barnat.
Edhe me arsimin kemi një paradoks të ngjashëm.
Kosova kishte planifiku rreth 474 milionë euro, apo 4.5 % të BPV-së, për arsim dhe hulumtim në vitin 2024, pothuajse sa mesatarja e BE-së. Por rezultatet e PISA-s tregojnë se nxënësi mesatar 15-vjeçar në Kosovë është pothuajse katër vjet e gjysmë mësim prapa bashkëmoshatarit në BE.
Pra problemi nuk është veç sa pare qesim në arsim. Problemi është çfarë arsimi blejmë me ato pare.
Kështu krijohet një klasë që nuk është domosdoshmërisht e varfër, por që jeton vazhdimisht e pasigurt. Punon. Merr pagë. Paguan tatime. Pastaj duhet me ble privatisht një pjesë të shëndetësisë, edukimit, banimit dhe sigurisë që do të duhej me ia garantu më shumë shteti.
E megjithatë, Kosova mbetet relativisht e qetë.
Pse?
Albert Hirschman, një prej ekonomistëve dhe mendimtarëve politikë më të rëndësishëm të shekullit XX, i njohur sidomos për punën e tij mbi zhvillimin ekonomik dhe sjelljen e qytetarëve ndaj institucioneve, reagimin ndaj një sistemi që nuk funksionon e kishte përmbledhë me tri fjalë: exit, voice, loyalty.
Me ikë. – EXIT
Me folë. – VOICE
Ose me vazhdu me besu. – LOYALTY
Në Kosovë, kjo skemë bëhet pothuajse konkrete.
Exit është emigrimi.
Voice është protesta, kërkesa për ndryshim, presioni ndaj pushtetit.
Loyalty është gatishmëria me i dhanë sistemit edhe pak kohë, sidomos kur ende beson se ata që qeverisin, me krejt gabimet e tyre, nuk po qeverisin për me u pasuru.
E remitancat dhe transferet sociale e bëjnë këtë durim pak më të përballueshëm. Ato nuk janë loyalty. Por e ulin çmimin e saj.
Në këtë kuptim, Kosova i ka sot katër amortizatorë të fuqishëm.
AMORTIZATORI I PARI ËSHTË DIASPORA. Në vitin 2025 në Kosovë kanë hy rreth 1.4 miliardë euro vetëm në remitanca. Sipas Bankës Botërore, kjo është ekuivalente me rreth 17.3 për qind të BPV-së.
Kjo nuk është ndihmë e vogël. Është një sistem paralel social. Kur pensioni nuk të del, vijnë paret prej Gjermanisë. Kur të duhet mjeku, ndihmon Zvicra. Kur paguhen studimet, ndërtohet shtëpia apo duhet me u kalu një muaj i keq, diaspora futet aty ku paga dhe shteti nuk mjaftojnë.
Kosova ka ndërtu, pa e planifiku, një lloj shteti social privat jashtë kufijve të vet.
AMORTIZATORI I DYTË ËSHTË EMIGRIMI. Vetëm në vitin 2024, nga Kosova emigruan 37,451 njerëz. Migrimi neto ishte minus 28,413. Edhe me shtim natyror pozitiv, popullsia rezidente u zvogëlu për mbi 17 mijë njerëz.
Këtu është paradoksi.
Kur një 25-vjeçar nuk e sheh perspektivën, ai mundet me kërku ndryshim këtu. Ose mundet me kërku jetë diku tjetër.
Në shumë vende pakënaqësia del në rrugë. Në Kosovë, një pjesë e saj shkon në aeroport. Pastaj ai që iku fillon me dërgu pare. Sistemi humb një qytetar dhe fiton një remitancë. Individualisht, mund të jetë sukses. Por, kolektivisht, është diagnozë.
AMORTIZATORI I TRETË JANË TRANSFERET SOCIALE. Pensionet janë rritë. Shtesat për fëmijë dhe lehona janë zgjeru. Janë shtuar pagesat direkte për familjet. Dhe këto masa funksionojnë. Natyrisht që funksionojnë. Nëse një familjeje ia shton 20, 30 apo 50 euro në muaj, ia ke lehtësu jetën.
Por këtu kemi edhe një paradoks tjetër.
Në Kosovë, 56.8 për qind e popullsisë në moshë pune ishte ekonomikisht joaktive në vitin 2024. Te gratë, shifra ishte 74.1 për qind. Kjo nuk do të thotë se tri në katër gra janë të papuna. Do të thotë se tri në katër as nuk ishin aktive në tregun e punës.
Dhe një pjesë e shpjegimit është shumë konkret.
Vetëm rreth një në pesë fëmijë të moshës deri në gjashtë vjeç është në çerdhe apo edukim parashkollor, ndërsa Banka Botërore vëren se më shumë se gjysma e grave jashtë fuqisë punëtore i përmendin obligimet familjare si arsye. Pra, i japim familjes shtesën për fëmijë, por shumë shpesh nuk ia japim nënës çerdhen që ia mundëson me shku në punë.
Transferi ia lehtëson muajin. Por, çerdhja, puna dhe paga ia ndryshojnë jetën.
Dhe këtu është dallimi mes politikës sociale që amortizon dhe politikës zhvillimore që emancipon.
AMORTIZATORI I KATËRT ËSHTË KREJT TJETËR. Është legjitimiteti moral.
Një pjesë e madhe e kapitalit politik të Albin Kurtit vazhdon të vijë prej bindjes së një pjese të qytetarëve se, pavarësisht gabimeve, konflikteve, arrogancës apo mungesës së rezultateve në sektorë të caktuar, ky pushtet nuk ka ardhë me u pasuru personalisht.
Kjo është perceptim politik. Nuk është dëshmi se korrupsioni është zhdukë nga Kosova. Nuk është.
Por në politikë perceptimi për drejtësinë ka rëndësi. Në matjen e IRI-së në maj të vitit 2024, 60 për qind e të anketuarve e vlerësonin punën e qeverisë në luftën kundër korrupsionit si shumë të mirë ose disi të mirë.
Kjo nuk është certifikatë pastërtie. Është tregues i një kapitali politik.
Qytetari mundet me ia falë një qeverie paaftësinë për një kohë. Vjedhjen e fal shumë më vështirë.
Nëse beson se qeveria është e ndershme, edhe kur mendon se nuk punon, je i gatshëm me prit pak ma gjatë. Edhe kjo e amortizon pakënaqësinë.
Pra, Kosova sot i ka katër amortizatorë.
Diaspora e mban familjen.
Emigrimi e nxjerr një pjesë të presionit jashtë.
Shteti shpërndan transfere.
Legjitimiteti moral blen durim.
Deri tash kanë funksionu. Ndoshta edhe ma mirë se sa jemi të gatshëm ta pranojmë.
Por amortizatori nuk është motor. Ai veç e zbut goditjen. Remitancat nuk janë ekonomi zhvillimore. Emigrimi nuk është politikë punësimi. Shtesat sociale nuk janë produktivitet. Dhe pastërtia morale, reale apo e perceptuar, nuk mundet pafundësisht me e zëvendësu rezultatin.
Këtu kthehemi në Tiranë.
Nuk e dimë nëse ajo që po ndodh sot në Shqipëri do të ndodhë nesër në Kosovë. As shoqëritë nuk janë të njëjta. As politika nuk është e njëjtë. Por rruga në Tiranë na kujton një të vërtetë të thjeshtë.
Qetësia nuk është gjithmonë kënaqësi. Nganjëherë është veç presion që ende ka ku me dalë.
Në Shqipëri, një pjesë e atij presioni tash ka dalë në rrugë.
Në Kosovë, ende ka ku me shku. Te një transfer prej shtetit. Te paret prej diasporës. Te besimi se, së paku, qeveria nuk po vjedh. Ose në aeroport.
Pyetja nuk është pse Kosova nuk proteston sot. Pyetja është çka ndodh kur një ditë këta amortizatorë nuk e mbajnë ma peshën.
Tirana, këto ditë, ndoshta po na jep një pjesë të përgjigjes.
The post Shkruan Dardan Sejdiu: Zjarri i Tiranës dhe durimi i Prishtinës appeared first on Veriu.info.



