Zulfaj kërkon mbështetjen e Bundestagut për avancimin e Kosovës drejt BE-së
Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka zhvilluar takim me anëtarë të Komisionit për Çështjet e Bashkimit Evropian në Bundestagun gjerman.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Zulfaj u takua me kryetarin e Komisionit, Anton Hofreiter, zëvendëskryetarin Johannes Schraps dhe anëtarin Peter Beyer. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.
Në fokus të takimit ishte procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Zulfaj kërkoi mbështetjen e Bundestagut që Këshilli i BE-së t’i kërkojë Komisionit Evropian përgatitjen e Opinionit për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE këtë vjeshtë.
Ai theksoi se, gati katër vjet pas dorëzimit të aplikimit, Kosova mbetet i vetmi vend në rajon pa statusin e vendit kandidat.
Gjatë takimit u diskutua edhe për progresin demokratik dhe ekonomik të Kosovës, reformat në kuadër të procesit të integrimit evropian, si dhe harmonizimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë së Kosovës me atë të BE-së.
Zulfaj falënderoi deputetët gjermanë për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës.
The post Zulfaj kërkon mbështetjen e Bundestagut për avancimin e Kosovës drejt BE-së first appeared on KosovaNews.



