Ish-shefja e SHISH i drejtohet gazetares: Si kalon ti në takime me agjentët serbë në dhomat e hotelit?
Ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni është paraqitur sot, më 24.09.2026, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Para se të hynte në objektin e gjykatës, ajo ka dhënë një deklaratë të shkurtër duke iu drejtuar njërës prej gazetarëve të mediave në Shqipër, Kloadiana Lala.
“Klodi, si kalon ti në takime me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner?” – ka thënë Hyseni para gazetarëve të enjten.
Në një lidhje direkte për “News24 Albania” gazetarja Klodiana Lala ka thënë se i mbetet vetë Hysenit të sqarojë deklaratën e bërë para mediave.
“Zonja Hyseni ka zgjedhur të kundërsulmojë me gjuhë vulgare ndaj gazetarëve dhe duke i shantazhuar ata për takime në hotele të ndryshme, por asnjë fjalë për materialet që dyshohet që ka shpërndarë tek Ergys Agasi…” – tha Lala.
“Se për cilat takime referohet zonja Hyseni, mbetet për ta sqaruar kur të dalë por ishte një akuzë e fortë e lëshuar në adresë të gazetarëve” – deklaroi ajo.
Ndërsa, gjuhën e përdorur nga Vlora Hyseni e ka dënuar Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë.
“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon me termat më të ashpër shantazhin dhe sulmet e të dyshuarës së SPAK, ish-shefes së SHISH Vlora Hyseni ndaj gazetares Klodiana Lala. Çdo i dyshuar i drejtësisë duhet të japë llogari vetëm përpara drejtësisë ndërsa shantazhet ndaj gazetarëve nuk mund të tolerohen” – thuhet në një reagim në rrjetin social Facebook.
“AGSH i bën thirrje Zonjës Hyseni që të tërheqë menjëherë deklaratat e saj ndërsa e nxisim Strukturën e Posaçme që të shikojë me seriozitet këtë episod shantazhi nga ana e saj ndaj një gazetareje” – thuhet tutje në reagim.
The post Ish-shefja e SHISH i drejtohet gazetares: Si kalon ti në takime me agjentët serbë në dhomat e hotelit? first appeared on KosovaNews.



