Kurti takon Mickoskin, diskutojnë për tunelin Prizren-Tetovë dhe projektet energjetike
Kryeministri Albin Kurti është takuar në New York me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Kurti tha se me Mickoskin kanë vazhduar bisedën për bashkëpunimin në infrastrukturë dhe energji, si dhe për avancimin e projekteve të përbashkëta.
“Vazhduam bisedën për bashkëpunimin në infrastrukturë e në energji, përkatësisht për avancimin e projekteve të përbashkëta. Theksova rëndësinë e përshpejtimit të procedurave për tunelin Prizren-Tetovë, si projekt me rëndësi të veçantë për qytetarët, sikurse edhe për zhvillimin e turizmit dhe ekonomitë e të dyja vendeve”, ka shkruar Kurti.
Ai bëri të ditur se kanë biseduar edhe për zbatimin e marrëveshjes për thëngjillin.
“U pajtuam të vazhdojmë punën për realizimin e këtyre projekteve, të cilat kontribuojnë në ndërlidhjen rajonale dhe sigurinë energjetike”, tha Kurti.
Kurti rikujtoi se katër javë më parë kishte qenë bashkë me Mickoskin në nisjen e punimeve për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë.
“Kosova dhe Maqedonia e Veriut, përveçse fqinje, janë shtete mike dhe partnere, me interesa të përbashkëta për paqe, siguri, zhvillim dhe integrim euroatlantik”, ka shkruar Kurti.
The post Kurti takon Mickoskin, diskutojnë për tunelin Prizren-Tetovë dhe projektet energjetike first appeared on KosovaNews.



