Zgjedhja e presidentit, Kurti kërkon përgjegjësi politike: Nuk do të ishte e arsyeshme të shkohej sërish në zgjedhje
Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga liderët politikë dhe deputetët që të gjejnë një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit, duke vlerësuar se vendi tashmë ka kaluar nëpër procese të mjaftueshme zgjedhore dhe se një tjetër zgjedhje nuk do të prodhonte rezultat të ri.
Në mbledhjen e parë të Qeverisë së re, Kurti u ndal te zhvillimet politike të viteve të fundit dhe te bllokadat institucionale që, sipas tij, e kanë çuar vendin dy herë në zgjedhje pas zgjedhje.“Pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025, pas një mandati të plotë qeverisës 4-vjeçar, kemi pasur dy palë zgjedhje të paarsyeshme, të kushtueshme, dhe që nuk sollën rezultat tjetër”, tha Kurti.
Ai theksoi periudhën e gjatë të bllokadës institucionale që parapriu zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, duke thënë se qytetarët atëherë e dhanë qartë verdiktin e tyre përmes votës.“Dhjetë muaj bllokadë e barrikadim për të shkuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Qytetarët folën qartë, para Vitit të Ri 2026”, u shpreh kryeministri.
Sipas Kurtit, situata u përsërit edhe në vitin 2026, kur vendi shkoi sërish në zgjedhje për shkak të moszgjidhjes së çështjes së presidentit.“Por barrikadim sërish për të shkuar përsëri në zgjedhje, në 7 qershor 2026. Edhe një herë, qytetarët folën qartë. Në vitin 2025 shkuam në zgjedhje për shkak të barrikadimit për Kuvend e Qeveri. Ndërkaq, sivjet, në 2026, për shkak të barrikadimit për shkak të presidentit”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se situata tashmë është ndryshe, pasi Kuvendi është konstituar dhe Qeveria është zgjedhur. Sipas tij, sfida që mbetet përpara institucioneve është zgjedhja e presidentit.“Sot, kur po flasim, jemi me Kuvend të konstituar e Qeveri të zgjedhur, ndërkaq përpara kemi çështjen e presidentit dhe një marrëveshje politike mes subjekteve Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për kandidatin për president”, tha Kurti.
Kryeministri foli edhe për qëndrimin e disa deputetëve të LDK-së, të cilët, sipas tij, nuk janë pajtuar me zbatimin e marrëveshjes së arritur mes dy subjekteve politike.“Para nesh është sfida me qëndrimin e shprehur nga disa deputetë, nga radhët e LDK-së, të cilët nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me mund e përkushtim, pas një procesi negociatash jo të lehta, të autorizuara nga kryesitë përkatëse të partive tona”, u shpreh ai.
Kurti tha se marrëveshja politike dhe mundësia për zgjedhjen e presidentit janë shumë pranë një zgjidhjeje dhe se një kthim tjetër në zgjedhje do ta rikthente vendin në të njëjtën situatë.“Jemi kaq afër zgjidhjes së presidentit, saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur përsëri në të njëjtën pikë”, deklaroi kryeministri.
Ai u bëri thirrje liderëve politikë dhe deputetëve që të marrin përgjegjësi dhe ta përmbyllin procesin.“Si kryeministër i Republikës së Kosovës, por edhe si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, subjektit politik më të madh në vend dhe në Kuvend, ju bëj thirrje liderëve politikë, kolegëve të mi, deputetëve, le ta zgjidhim çështjen e presidentit”, tha Kurti.
Sipas tij, institucionet duhet të funksionojnë në përputhje me vullnetin e qytetarëve dhe vendi duhet të ecë përpara pa u përfshirë sërish në një cikël zgjedhor.“T’i japim vendit tonë institucionin në përputhje me vullnetin qytetar, dhe le të ecim përpara së bashku ashtu siç i takon Republikës sonë e siç presin qytetarët tanë”, u shpreh ai.
Kurti e cilësoi një proces të ri zgjedhor si të panevojshëm, duke argumentuar se ai nuk do të ndryshonte përbërjen politike të vendit.“Jam i bindur që edhe një proces i panevojshëm zgjedhor jo vetëm që nuk do të sillte diçka të re sa i përket mozaikut politik në vend, por përfundimisht do të ishte papërgjegjësi ndaj interesit publik dhe pamaturi e madhe politike”, tha Kurti.
Në fund, kryeministri tha se kompromisi politik është i mundur dhe si dëshmi për këtë përmendi konstituimin e Kuvendit. Ai tha se një dialog i hapur dhe i sinqertë mes subjekteve politike mund të çojë drejt zgjedhjes së presidentit.“Se gjetja e një kompromisi politik është e mundur dhe sjell rezultat, është dëshmi vetëkonstituimi i Kuvendit”, tha Kurti, duke shtuar se një diskutim politik “i hapur dhe i sinqertë” mund t’i sjellë Kosovës presidentin e ri.
The post Zgjedhja e presidentit, Kurti kërkon përgjegjësi politike: Nuk do të ishte e arsyeshme të shkohej sërish në zgjedhje first appeared on KosovaNews.



