NACIONALE

Nagavci: Tërheqja e Bekim Sejdiut nga gara për president, humbje për procesin

Deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas tërheqjes së prof. dr. Bekim Sejdiut nga gara për President të Republikës së Kosovës.

Në një postim në Facebook, Nagavci ka thënë se tërheqja e Sejdiut është humbje për një proces që, sipas saj, do të duhej të sillte në vëmendje personalitete me integritet, profesionalizëm dhe kredibilitet.

Ajo ka kritikuar klimën politike, duke thënë se ajo po i demotivon personalitetet që mund ta vënë dijen dhe përvojën e tyre në shërbim të shtetit.

“Fatkeqësisht, në vend që të krijojmë hapësirë për personalitete të tilla që të vënë dijen dhe përvojën e tyre në shërbim të shtetit, po krijohet një klimë politike që i demotivon ata”, ka shkruar Nagavci.

Sipas saj, përpjekja për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja po e dërgon Kosovën “nga një bllokadë në tjetrën”, duke e vështirësuar edhe më shumë arritjen e një konsensusi.

“Kosova nuk ka nevojë për bllokada të reja. Ka nevojë për përgjegjësi, stabilitet institucional dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje”, ka deklaruar Nagavci.

Në fund, ajo i ka shprehur respekt dhe mirënjohje prof. dr. Bekim Sejdiut për gatishmërinë e tij për t’i shërbyer Republikës.

“Prof. Sejdiut i shpreh respekt dhe mirënjohje për gatishmërinë që, me integritetin dhe profesionalizmin e tij, t’i shërbejë Republikës”, ka përfunduar Nagavci.

The post Nagavci: Tërheqja e Bekim Sejdiut nga gara për president, humbje për procesin first appeared on KosovaNews.

Related Articles

Back to top button
error: JO !!