Qeveria optimiste për shqyrtim të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE së shpejti
Qeveria e Kosovës pret hapa konkretë për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE me emërimet e reja në institucionet e Bashkimit Evropian si dhe me presidencën e ardhshme të Polonisë nga janari.
Këshilltari i zëvendëskryeministrit, Bislimi, Klisman Kadiu tha për RTV21 se Kosova e meriton marrjen e statusit të vendit kandidat, e këtë do ta dëshmojë me të pranuar pyetësorin e plotësuar sipas kritereve dhe afateve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian.
“Aplikimi ynë për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetorin e vitit 2022, erdhi pasi vendi ynë pranoi edhe raportin më të mirë asokohe për vendin vetëm një muaj më herët, në nëntor 2022, i cili dëshmonte nivelin e progresit dhe zhvillimit të Kosovës, dhe masën e përgatitjes institucionale për të avancuar tutje në procesin e integrimit evropian, i cili për shumë vite kishte mbetur për Kosovën pa një hov të ri dhe deçiziv në rrugën përpara. Aplikimi ynë për anëtarësim në BE, bashkë me nivelin e lartë të zbatueshmërisë së reformave si kurrë më parë, dëshmuar në përqindjen e zbatueshmërisë së agjendës së reformave ERA II me 72% dhe ato në sajë të Programit Kombëtar për Integrim Evropian me 66%, apo edhe arritjen më së fundmi të liberalizimit të vizave pas shumë vitesh pritjesh, treguan se vendi ynë është i gatshëm për hapa të mëtejmë përpara në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe përafrimit me standardet e BE-së. Kosova është gati për këtë, dhe qëndron me vullnet e gatishmëri të lartë të dëshmojë nivelin institucional të përgatitjes kurdo që Bashkimi Evropian është i gatshëm t’ia hapë këtë rrugë Republikës së Kosovës. Këtë, e dëshmuam edhe përmes Planit të Rritjes dhe punës masive të zhvilluar në këtë proces, ku dhe u përgëzuam nga Bashkimi Evropian për nivelin e përgatitjes. Ne qëndrojmë në pritje të pranimit të pyetësorit dhe vlerësimit në bazë të meritokracisë për avancimin në proces. Kosova e meriton marrjen e statusit të vendit kandidat, e këtë do ta dëshmojmë me të pranuar pyetësorin e plotësuar atë sipas kritereve dhe afateve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian. Mbetemi të përkushtuar maksimalisht në argumentimin e rëndësisë së këtij hapi dhe nivelit të përgatitjes së Kosovës, andaj edhe presim hapa konkretë me ardhjen e konstelacionit të ri në përbërjen e institucioneve në Bashkimin Evropian, dhe presidencën e ardhshme të Polonisë nga janari”., tha për RTV21 Klisman Kadiu.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022./ RTV21/21Media