Analiza e DW: Gjithnjë e më pak vende demokratike në botë

Sipas një studimi të fondacionit Bertelsmann mbi vendet në zhvillim dhe në ekspansion qeveritë autoritare janë në shumicë. Demokracia në të gjithë botën po vendoset gjithnjë e më shumë nën presion.

Shifrat janë disiluzionuese: në 137 vende, që mund të konsiderohen si vende në zhvillim apo në ekspansion gjendja e demokracisë është keqësuar në 20 vitet e fundit. Sipas “Indeksit të Transformimit” të Fondacionit Bertelsmann sot 63 demokraci qëndrojnë përballë 74 autokracive. Shtete këto, në të cilat nuk ka zgjedhje të lira apo shtet ligjor funksionues.

Për prezantimin e studimit fondacioni gjerman kishte ftuar të hënën (18.03.) edhe kancelarin, Olaf Scholz. Duke iu referuar rritjes së populizimit edhe në Gjermani, Scholz tha se e gëzon fakti që qindra mijëra njerëz dolën në protesta. “Kjo nuk erdhi nga lart apo nga partitë. Është e drejtë, që të vrasim mendjen për një demokraci që di të mbrohet. Por në fund kjo nuk është pjesë teatrale, nuk zhvillohet në internet, por jemi ne: Demokracinë duhet ta mbrojmë ne.”

Sipas studimit, në 25 vende zgjedhjet kanë qenë më pak të lira e të drejta në dy vitet e fundit. Dy vite që janë përcaktuar nga situata gjeopolitike, lufta agresore e Rusisë në Ukrainë dhe më parë pandemia e Coronës. Në 39 vende është kufizuar gjithnjë e më shumë liria e shtypit dhe e mendimit.

Kancelari, Olaf Scholz mendon se “demokracia nuk mund të mbrohet nga lart”

Shqipëria dhe Kosova

Në Indeksin e Transformimit të Fondacionit Bertelsmann gjenden edhe vlerësime për Shqipërinë. Në aspektin e transformimit politik Shqipëria nuk merr notë të mirë dhe konsiderohet “demokraci me defekte”, por vlerësohet mirë në drejtim të transformimit ekonomik dhe qeverisjes. Shqipëria zë vendin e 21-të, kurse Kosova vendin e 37 mes 137 vendeve që shihen si vende në zhvillim apo ekspansion në renditjen e aspektit të transformimit politik, ku merren në konsideratë shteti ligjor, stabiliteti i institucioneve, pjesëmarrja politike dhe integrimi politik e shoqëror. “Sfida për transformimin intitucional në Shqipëri në reforma të qëndrueshme dhe solide kërkon angazhimin e aktorëve lokalë për zbatimin e reformave.”

Kina, sipas studimit, bëri shumë gabime gjatë pandemisë

“Pandemia ka pasur efekt përforcues”

Sabine Donner është një nga autoret e studimit. Ajo shprehet për Deutsche Wellen, në lidhje me efektin që ka pasur pandemia e Coronës për zhvillimet demokratike, e ku gjatë së cilës u kufizuan disa të drejta përkohësisht dhe pati ndalim të lëvizjes. “Pandemia ishte një rast të kufizoheshin edhe më shumë të drejtat dhe të përqëndrohej më shumë pushteti tek qeveritë. Por parimisht pandemia nuk krijoi probleme, që nuk ekzistonin më parë.”

Sipas të dhënave të Fondacionit Bertelsmann ky është studimi më i madh dhe i gjerë i këtij lloji. Bazë për të janë 5000 faqe raportime nga vendet, të cilat fondacioni i ka shqyrtuar me 300 eksperte e ekspertë, me universitetet dhe institute studimore në rreth 120 vende. Në fokus gjendja e demokracisë, zhvillimi ekonomik, dhe qeverisja. Të gjitha kategoritë gjenden në pikën më të ulët të zhvillimit.

Pozitive: Demokracitë po zgjohen ngadalë

Por sipas studiueses Donner nuk duhet të dekurajohemi, megjithë lajmet negative. Ajo vëzhgon edhe një fenomen tjetër: në demokracitë e konsoliduara po rritet vetëdija se bota është duke u bërë gjithnjë e më pak e lirë. “Në dy deri në katër vitet e fundit janë njerëzit dhe qeveritë, vendet demokratike, edhe ne në Gjermani jemi zgjuar më shumë që ka sfida autoritare. Ka më shumë vetëdije, se para dhjetë vjetësh, por ne edhe e lejuam këtë, besoj unë.”

Sfida për transformimin institucional në Shqipëri në reforma të qëndrueshme dhe solide kërkon angazhimin e aktorëve lokalë, thuhet në studimin e Bertelsmann

Janë demokracitë shumë të ngadalta dhe jo fleksible?

Sunduesit autoritarë e arsyetojnë veprimin e tyre me dëshirë me pretendimin, se demokracitë janë shumë të fjetura, të ngadalta dhe nuk e ndjekin dot konkurrencën globale. Studimi e kundërshton këtë pas evaluimit: Nëse vlerësohet qeverisja eficiente gjatë pandemisë për shembull, atëherë regjime të paorganizuara dhe të korruptuara si Kamboxhia, Venezuela apo Zimbabve dalin me rezultate të dobta. Të 45 vendet me efektivitetin më të ulët janë të gjitha vende jodemokratike. Sipas Sabine Donner u tregua sidomos në Kinë gjatë pandemisë ajo që demokracitë nuk veprojnë më me mençuri. “Këtë e pamë gjatë pandemisë, kur u bë e qartë që lokdaunet mjaft të rrepta nuk funksiononin, se pati protesta të mëdha megjithë represionet e mëdha. Edhe autokracitë mund të vendosen nën presion, kur popullsia nuk është e kënaqur me rezultatet.”

Kosova zë vendin e 37 mes 137 vendeve që shihen si vende në zhvillim apo ekspansion në renditjen e aspektit të transformimit politik

Çelësi qëndron tek angazhimi civil

Një faktor vendimtar për një zhvillim më të pakët autokratik është angazhimi civil i njerëzve për zgjedhje të lira, lirinë e shtypit dhe ndarjen e pushteteve. Nëse ka një presion të vazhdueshëm mund të  zmbrapsen tendencat autoritare. Studimi liston shembuj të zgjedhjeve të fundit në Kenia dhe Zambia. Por edhe tendenca pozitive në Europë, si në Poloni dhe Moldavi.

Një rol më të vogël luajnë ndikimet kulturore dhe fetare. A mundet vendet myslimane si ato të Gjirit të zmbrapsin autokracitë me fuqitë e veta? Sipas Sabine Donner “nuk di ndonjë argument pse kjo nuk mund të funksionojë. Merrni si shembull Tajvanin apo Korenë e Jugut, që u qeverisën një kohë të gjatë në mënyrë autokratike dhe fillimisht u modernizuan nga ana ekonomike. Tani janë demokraci të stabilizuara dhe të suksesshme. Nuk ka ndonjë automatizëm që e pengon këtë.”

Përfundimi i studimit: Me demokraci dhe shtet ligjor të gjitha vendet në fund ia dalin mbanë më mirë. Dhe aty ku funksionon demokracia, kështu thotë studimi, qeveritë duhet më shumë se më parë që të kërkojnë konsesusin e grupeve të gjera të popullsisë. Edhe pse kjo është e vështirë në një klimë gjithnjë e më të polarizuar. /DW

Lajmet Analiza e DW: Gjithnjë e më pak vende demokratike në botë >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>