NACIONALE

Macron e uron Shiroka-Pulën: Franca është një partnere historike e Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë letër urimi nga Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, me rastin e marrjes së detyrës.

Në letrën e tij, Presidenti Macron i përcolli Presidentes Shiroka Pula urimet më të përzemërta dhe shfaqi shpresën se zgjedhja e saj do të mundësojë rifillimin e përparimit në fushat që kontribuojnë në perspektivën evropiane të Kosovës.

Presidenti Macron ka rikujtuar takimin me kryeministrin Albin Kurti në Paris, në mars të këtij viti, si dhe partneritetin historik ndërmjet Francës dhe Kosovës.

Ai shprehu kënaqësinë që vizita e ministrit të deleguar për Evropën në Kosovë, gjatë muajit korrik mundësoi nënshkrimin e marrëveshjeve të reja ndërmjet dy vendeve.

Në letrën e tij, ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke riafirmuar mbështetjen e Francës për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Kjo është letra e plotë:

E nderuara zonja Presidente,

Ju përcjell të gjitha urimet e mia për zgjedhjen tuaj në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Shpresoj që zgjedhja juaj të mundësojë rifillimin e përparimeve në fushat që lidhen me perspektivën evropiane të vendit tuaj. Ju e dini përkushtimin tim ndaj synimit të ribashkimit të kontinentit evropian, i cili do të mundësojë garantimin e paqes dhe stabilitetit në Evropë. Pata rastin ta ritheksoj këtë gjatë takimit tim me Kryeministrin, z. Kurti, në Paris, në muajin mars të kaluar.

Franca është një partnere historike e Kosovës. Jam i lumtur që vizita e ministrit të deleguar, përgjegjës për Evropën, në vendin tuaj, ka mundësuar, në korrik, nënshkrimin e marrëveshjeve të reja ndërmjet dy vendeve tona.

Së fundi, dëshiroj të rikujtoj rëndësinë thelbësore të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit përcaktojnë kornizën, ndërsa Franca do të vazhdojë të mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Tashmë u takon të dyja palëve të zbatojnë zotimet e marra.

Ju lutem pranoni, e nderuara zonja Presidente, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Emmanuel Macron President i Republikës Franceze

Related Articles

Back to top button
error: JO !!