Kosova me dy kickboksierë në Kupën Botërore WAKO në Uzbekistan
Kosova po përfaqësohet me dy kickboksierë në Kupën Botërore WAKO Uzbekistan 2026, e cila po mbahet në Tashkent nga 13 deri më 18 tetor.Sipas njoftimit të Federatës së Kickbox-it të Kosovës, në këtë garë ndërkombëtare po marrin pjesë Art Dulaj dhe Nart Kastrati, të shoqëruar nga kryetari i Federatës, Fatmir Makolli.
Delegacioni kosovar ka përfunduar regjistrimet zyrtare dhe matjet e peshës, ndërsa tashmë është gati për fillimin e garave.Pjesëmarrja e Kosovës në këtë aktivitet ka rëndësi të veçantë, pasi Uzbekistani ende nuk e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Kjo është hera e dytë që Kosova merr pjesë në këtë ngjarje ndërkombëtare.Kryetari i Federatës së Kickbox-it të Kosovës, Fatmir Makolli, është shprehur krenar për përfaqësimin e vendit në një garë të këtij niveli, duke theksuar rëndësinë e sportit në afrimin e popujve.“Është kënaqësi dhe krenari që përfaqësojmë Kosovën në një garë të këtij niveli, veçanërisht në një shtet që ende nuk e ka njohur pavarësinë tonë.
Sporti është një urë që bashkon popujt dhe hap dyer të reja. Synimi ynë është që sportistët të japin maksimumin, të arrijnë rezultate sa më të larta dhe të bëjnë të mundur që flamuri ynë të valojë e himni i Kosovës të intonohet në podiumin më të lartë në Tashkent”, ka thënë Makolli.Garat në Tashkent do të vazhdojnë deri më 18 tetor, ndërsa dy garuesit kosovarë synojnë të përfaqësojnë denjësisht vendin në këtë ngjarje ndërkombëtare. /Kosovapress/



