Vaksinimi kundër gripit sezonal po zhvillohet normalisht

Këtë vit në Kosovë 17 ditë më herët ka nisur vaksinimi kundër gripit sezonal. Qytetarët po i përgjigjen thirrjes së institucioneve shëndetësore për t’u imunizuar kundër gripit. Për këtë proces Ministria e Shëndetësisë ka siguruar 85 mijë doza të vaksinës.

Tash e 10 vjet vaksinën kundër gripit sezonal e merr vazhdimisht pensionisti Ismet Mustafa. Ai thotë se kjo vaksinë e ndihmon ta ketë një dimër më të shëndetshëm. Madje Mustafa apelon edhe te të tjerët që ta marrin vaksinën kundër gripit sezonal.

“Rregullisht e marrim që 10 vite e më tepër ma merr mendja që po na ndihmon… Na ka ndihmuar nuk kam pasur problem gjatë kohës së dimrit… Iu kisha apeluar të gjithëve, sidomos këta që janë të moshuar që të vijnë dhe të vaksinohen, pasi që është për të mirën e tyre”, shprehet ky qytetar.

Thirrje për marrjen e vaksinave kundër gripit sezonal ka bërë edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Sipas Vitisë edhe këtë vit në afat rekord janë siguruar këto vaksina për qytetarët e rrezikuar.

“Vaksinat sikur edhe në vitin e kaluar janë siguruar në afat rekord edhe sipas rregullave nga mesi i muajit tetor e deri në shkurt duhet të jepen këto vaksina. Ato janë siguruar dhe janë shpërndarë në shumicën e QKMF-ve… Shfrytëzoj rastin t’iu bëj thirrje të gjithëve, sidomos të moshuarve, personave mbi moshën 65-vjeçare, personat me sëmundje kronike e personat që kanë sëmundje onkologjike që janë diagnostikuar me kancer të gjirit, ta shfrytëzojnë këtë mundësi të mirë, sepse gripi në këto raste mund të jetë jashtëzakonisht problematike dhe bëj thirrje që gjithë këto kategori sa më shpejt ta shfrytëzojnë mundësinë e tyre për t’u vaksinuar dhe parandaluar gripin”, deklaroi Vitia.

Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës bëjnë të ditur se procesi i vaksinimit po vijon normalisht. Faik Hoti nga IKSHP thotë se të gjitha komunat janë furnizuar me dozat e nevojshme të vaksinave kundër gripit sezonal.

“Kemi një fillim të mbarë të procesit duke pas parasysh edhe faktin që sivjet vaksina kundër gripit sezonal është siguruar 17 më herët sesa vitin e kaluar. Tashmë procesi po rrjedh normalisht, fillimisht i procesit ka koinciduar edhe me ditën ndërkombëtare të peronave të moshuar që janë një kategori me prioritet për vaksinim dhe krahas kësaj po vaksinohen edhe grupet tjera të rrezikut siç janë shtatzënat, fëmijët e moshës nga 6 muaj e deri 5 vjet profesionistët shëndetësorë, e profesionistët shëndetësorë”, theksoi ai.

Doktor Faik Hoti thotë se mbrojtja më e mirë kundër gripit sezonal është vaksinimi.

“Ministria e Shëndetësisë ka siguruar 85 mijë doza të vaksinës kundër gripit sezonal. Ato janë vaksina të kualifikuara sipas standardeve të OBSH-së dhe sigurohen në bashkëpunim me UNICEF. Pra, janë të gjitha parakushtet që të kemi një fushatë të mirë vaksinimi kundër gripit sezonal… Nuk ka mbrojtje më të mirë kundër gripit sezonal sesa vaksinimi që është një metodë e thjesht, efektive dhe e lehtë për t’u realizuar”, theksoi ai.

Procesi i vaksinimit kundër gripit sezonal po shkon mjaft mirë edhe në Prishtinë.

Specialisti i Mjekësisë Familjare pranë Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Naim Sveçla thotë se në dispozicion si kryeqytet kanë 11 mijë doza vaksinimi.

Ai thotë se krahas kategorive të parapara për vaksinim këtë vit, ka interesim për imunizim karshi gripit sezonal edhe nga profesionistët shëndetësorë.

“Jemi në ditën e tretë. Fluksi është në rritje e sipër… Komuna jonë i ka diku 11 mijë doza edhe besoj që janë të mjaftueshme vetëm për Prishtinë… (Është) Shumë me rëndësi, sepse gripi dihet që është një sëmundje që i atakon më shumë moshat e shtyra dhe mund të ketë pasoja te moshat e shtyra ose te njerëzit që kanë sëmundje kronike gjithqysh duhet të vaksinohen. Sivjet kemi edhe një fluks pak më të madh të punëtorëve shëndetësorë”, deklaroi specialisti Sveçla.

Sveçla theksoi po ashtu se deri tani i kanë imunizuar 400 persona dhe vaksinimi në Prishtinë po zhvillohet në 15 qendra të vaksinimit.

“Deri më tani janë të vaksinuar diku 400 veç sa kemi filluar duhet ta cekim që në të njëjtën kohë po bëhet në 15 qendra të tjera”, tha ai.

Kategoritë si personat me sëmundje kronike nën moshën 65-vjeç, punëtorët shëndetësorë, gratë shtatzëna, fëmijët nga 6 muaj deri në 5-vjeç me indikacione shëndetësore janë disa prej kategorive më me përparësi për t’u vaksinuar me vaksinën e gripit sezonal./kp

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>