Në kërkim të “ilaçit” përtej kufijve
Që nga lindja, vajza tashmë 8 muajshe e Besnik Krasniqit ka një problem në zemër, për të cilin ai detyrohet që ta dërgoj për trajtim jashtë vendit, pasi që Pediatria e QKUK-së nuk e mundëson intervenimin përkatës.
Këtë vendim Krasniqi e priti me shqetësim, pasi, siç vlerëson ai, më e përshtatshëm do të ishte që intervenimi të kryhet në Kosovë.
“…vajza jem e ka një problem në zemër ku e ka një kanal të hapur në zemër, e ka diku 13milimetra të hapur. Vajza edhe 10 ditë I bënë 8 muaj. E kom pasë në QKUK diku kah korriku. Ka nejtë një javë aty, e kanë kqyrë dhe ja kanë gjetë problemin. Nuk e kemi ditë për këtë problem. Ju ka rritë ana e djathë e për atë problem nuk munden me ndërhy në Kosovë, nuk kemi mjete m’kanë thanë. Të dielen kam qenë në Prishtinë, një shoqatë e Italisë ka qenë këtu e ka kontrollu, edhe ma ka lanë terminin me operu në janar në Itali. Falas e kom prej qasaj shoqate…”, tha Krasniqi për rtv21
Në periudhën janar – shtator të këtij viti në Klinikën e Pediatrisë janë evidentuar 150 raste për diagnostikim dhe trajtim jashtë vendit. Pediatri Ramush Bejiqi, tha se rastet që kërkojnë trajtim jashtë vendit janë disa sëmundje të zemrës tek fëmijët, problemet neurologjike dhe hematoonkologjike.
“…aspekti i trajtimit jashtë vendit në Kosovë është filtri i pacientëve shumë i madh. Ne provojmë cdo mundësi pancientëve të mos ua humbim, sepse kanë nevojë për trajtim, por edhe të mos dërgojmë gjithcka për trajtim. Kërkesat e prindërve janë prej atyre shumë serioze në ato jo serioze dhe jo të nevojshme. Me shumë seriozitet trajtohen rastet…mas shumti ka probleme me sëmundje të zemres, probleme neurologjike dhe hematoonkologjike. Kjo është patologjia më e shpeshë që fëmijët kanë nevojë për trajtim jashtë vendit…nuk kryhen sepse ende skemi zhvilluar as resurse njerëzore as teknike…”, tha Bejiqi
Fondi i Sigurimeve Shëndetësore si institucion publik i cili siguron “grumbullimin e mjeteve financiare, për sigurimin shëndetësor të obligueshëm”, deklaroi se buxheti i se për Programin për trajtim mjekësor jashtë vendit, ka në dispozicion një shumë prej 8 milionë eurosh.
“Fondi i Sigurimit Shëndetësor nuk ka marrëveshje për trajtim jashtë vendit, me asnjë Ministri ose Fond. Kërkesat për trajtim jashtë vendit varirojnë prej viti në vit. Në vitin 2023 ishin 1046, ndërsa për vitin 2024 deri më tani janë 974 aplikime. Buxheti i Fondit për Programin për trajtim mjekësor jashtë vendit ka në dispozicion 8 Milionë euro.”
Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve të Kosovës, vlerëson se nga këto procese, kanë hasur në skandale, siç është fryrja e faturimeve, ku në këtë rast është dëmtuar buxheti i shtetit dhe vet qytetarët.
“…Kosova vazhdon të ketë numër të madh të pacientëve që nuk mund të marrin shërbime shëndetësore ne institucione publike. Edhe pse Fondi I Sigurimit Shëndetësor i mbështetë kemi parë skandale edhe në të kaluaren, ku faturat kanë qenë jashtëzakonisht të fryra, kjo e godet direkt buxhetin e shtetit por edhe vet qytetarët. Kjo ndodhë si rezultat që Fondi nuk karaporte me institucionet që japin shërbime për pacientët. Këto prodhojnë dy llojë pasoja, cmimet e ngritura dhe shteti nuk mund të garantoj siguri për qytetarët e vet gjatë trajtimit shëndetësor. Kjo duhet të ndryshojë me një masë të madhe…”, tha Kodra.
Vendet ku më së shumti kosovarët kërkojnë trajtim jashtë Kosovës janë: Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Turqia e Gjermania./RTV21/21Media