Kurti për Raportin e Progresit: Qeveria mbetet e angazhuar në rrugën e reformave
Kryeministri Albin Kurti ka mirëpritur rekomandimet e Raportit për vendin nga Komisioni Evropian i cili vlerëson progresin në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Ai gjatë një takimi me shefin e Zyrës së BE-së në Prishtinë, ambasadori Aivo Orav, theksoi angazhimin e Qeverisë për të çuar përpara reformat thelbësore për anëtarësimin e Kosovës në BE.
“Qeveria e Kosovës mbetet e angazhuar në rrugën e reformave. Integrimi i plotë i Kosovës në BE mbetet qëllimi ynë strategjik dhe angazhimi në reforma është në interes të qytetarëve për progres të gjithmbarshëm demokratik dhe socio-ekonomik”, tha Kurti.
Në pikat e tij kryesore, raporti i BE-së për Kosovën vlerëson pozitivisht liberalizimin e vizave dhe vlerëson përkushtimin për përputhshmërinë me politikat e BE-së, nga ku veçohet linjëzimi me politikën e jashtme të BE-së një hap që reflekton angazhimin për bashkëpunim dhe integrim të plotë në familjen evropiane.
Në raport gjithashtu vlerësohet angazhimi aktiv i Kosovës në zbatimin e Planit të Rritjes, agjendën e reformave si dhe angazhimin në promovimin e bashkëpunimit rajonal në zhbllokimin e vendimmarrjes në CEFTA me marrëveshje të reja që forcojnë tregtinë dhe lidhjet ekonomike brenda rajonit.
Forcimi i kornizës ligjore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar vlerësohen gjithashtu pozitivisht si prioritet i qeverisë për një shtet të së drejtës. Reformat zgjedhore, sikurse edhe përmirësimi i kushteve të tregut të lirë dhe mbështetja për sipërmarrësit që ndihmon në rritjen e konkurrencës dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
Raporti vëren se nuk ka pasur asnjë ecje mbrapa në asnjërën nga fushat kyçe të reformës, ndërkohë që pothuajse në të gjitha fushat është shënuar progres – dëshmi kjo e përkushtimit të qeverisë për përparim dhe progres të vazhdueshëm.