Begaj: Mbështetje SPAK-ut dhe GJKKO-së, kultura e pandëshkueshmërisë është tronditur thellë

Në Ditën e Drejtësisë, Presidenti i vendit Bajram Begaj ka marrë pjesë në mbledhjen e përbashkët të KLP-së dhe KLGJ-së.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti Begaj ka shprehur mbështetjen për SPAK-un dhe GJKKO-në si dhe për të gjithë institucionet e drejtësisë në vend teksa ka thënë se për herë të parë kultura e pandëshkueshmërisë është tronditur thellë.

Më tej, Begaj ju ka kërkuar institucioneve të drejtësisë që të kërkojnë ndihmë nga institucionet e tjera për përmbushjen e misionit të tyre dhe ka thënë se pavarësia duhet të shoqërohet me transparencë dhe llogaridhënie.

Presidenti Bajram Begaj ju ka kërkuar përfaqësuesve të drejtësisë që të mbajnë pastër sistemin, për të cilin ka thënë se është në duart e tyre.

Për KLGJ-në, KLP-në dhe Magjistraturën, Begaj ka thënë se duhet të garantojnë standardet profesionale dhe etike teksa ka shtuar thirrjen që rekrutimet dhe emërimet të bëhen mbi bazën e vlerave dhe meritës.

“10 vjet më parë, me mbështetjen e vyer të miqve dhe partnerëve tanë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, nisi reforma në drejtësi, e cila është historike për nga rëndësia. Reforma nuk ishte vetëm një ndryshim strukturor, por edhe një angazhim i qartë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, si dhe për të ndërtuar një shoqëri ku sundimi i ligjit është shtyllë kryesore”, u shpreh Begaj në nisje të fjalimit.

Një drejtësi e tillë, tha Begaj, është edhe kusht për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Standardet janë vendosur brenda kornizës së ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore që solli reforma në drejtësi. Çështje parësore tashmë mbetet zbatimi i plotë dhe gjithëpërfshirës i këtyre standardeve me përgjegjësi dhe prioritet. Rezultatet e reformës janë të prekshme.

Kurrë më parë nuk ka qenë kaq i fortë perceptimi se drejtësia e ka forcën, kurajën dhe energjinë të punojë, të përballet e të triumfojë kundër krimit”, tha Begaj.

“Për herë të parë pas shumë dekadash, kultura e pandëshkueshmërisë është tronditur thellë. Kjo duhet përgëzuar dhe mbështetur”, u shpreh Presidenti i cili u ndal edhe tek vetingu.

“Pastrimi i sistemit të drejtësisë është parakusht për një drejtësi të reformuar. Po kaq e rëndësishme është edhe ripërtëritja e trupës me gjyqtarë e prokurorë të aftë profesionalisht dhe me integritet të lartë, në mënyrë që sistemi të jetë imun nga ndërhyrjet”, theksoi ai.

“Gjyqtarët dhe prokurorët tanë, të cilëve u është besuar ky transformim, duhet të jenë simbol i ndershmërisë dhe drejtësisë. Ata kanë një përgjegjësi me peshë të madhe për të merituar besimin e shqiptarëve. Puna e tyre nuk është vetëm një detyrë, por edhe një mision për të garantuar që çdo qytetar të jetë i barabartë përpara ligjit”, vuri në dukje Begaj.

Sipas tij, rritja e kapaciteteve profesionale të magjistratëve duhet të jetë në fokus dhe një objektiv afatgjatë e i qëndrueshëm për organet e drejtësisë.

“Në këtë drejtim, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Shkolla e Magjistraturës duhet të punojnë për të garantuar standardet profesionale dhe etike të magjistratëve, për të siguruar një proces të rregullt dhe konkurrues, të ngritur mbi bazën e vlerave e meritës gjatë rekrutimeve, emërimeve apo ngritjeve në detyrë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë kanë rol themelor në procesin e kontrollit të vazhdueshëm të cilësisë së vendimmarrjes, llogaridhënies, eficencës dhe transparencës së punës së magjistratëve”, theksoi Begaj.

Lajmet Begaj: Mbështetje SPAK-ut dhe GJKKO-së, kultura e pandëshkueshmërisë është tronditur thellë >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>