Pas publikimit të Raportit të BE-së për Kosovën, Krasniqi: Shqetësues e alarmues
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Raporti i Bashkimit Evropian për Kosovën, për vitin 2024, i cili i është dorëzuar Qeverisë që është publikuar sot, është raporti më negativ që ka marrë vendi ndonjëherë.
“Kosova është duke ecur prapa në të drejtat dhe liritë e njeriut, lirinë e shprehjes dhe të mediave, si dhe në drejtësi! Tri shtylla themelore mbi të cilat ndërtohet dhe funksion shteti demokratik dhe zhvillimor, janë në stagnim apo regres. Tri fusha për të cilët është përgjegjëse e vetme Qeveria e Republikës së Kosovës, e për të cilët Partia Demokratike e Kosovës e ka ngritur zërin vazhdimisht gjatë këtyre katër viteve”, ka shkruar Krasniqi.
Ndër tjera, ai shtoi se fatkeqësisht, dështimet e Qeverisë së Kosovës, të paraqitura në këtë raport, nuk janë vetëm pasojë e jo-kompetencës dhe paaftësisë së tyre, por janë “veprime të qëllimshme, të ndërmarra me vetëdije nga Kryeministri dhe vartësit e tij, si mjete për ruajtjen e pushtetit. Ky është një sabotim i zhvillimit dhe integrimit të vendit”.