Zyrtare – Tottenhami emëron trajnerin e ri

Tottenham ka emëruar Thomas Frank si trajnerin e ri kryesor të ekipit, duke i besuar danezit një kontratë trevjeçare deri në vitin 2028. Ish-trajneri i Brentford zëvendëson Ange Postecoglou, i cili u shkarkua javën e kaluar pavarësisht suksesit në Europa League.
Frank vjen në Londrën Veriore pas një periudhe të suksesshme me Brentford, klub të cilin e udhëhoqi nga Championship në Premier League në vitin 2021 dhe e konsolidoi në mesin e tabelës së lartë. Sezonin e fundit, Brentford e përfundoi kampionatin në vendin e 10-të.
Spurs paguan rreth 10 milionë paund për të liruar Frankun nga kontrata me Brentford, ndërsa me të do të bashkohen ndihmëstrajneri Justin Cochrane, kreu i performancës Chris Haslam dhe analisti Joe Newton.
“Me Thomasin, po emërojmë një nga trajnerët më progresivë dhe inovativë në këtë fushë,” thuhet në deklaratën zyrtare të klubit.
Frank do të marrë drejtimin e një skuadre që e mbylli sezonin në vendin e 17-të në Premier League, me objektivin për ta rikthyer në garat evropiane./kp