Zogaj: Diasporës duhet t’i hiqet e drejta e votës, do të zvogëlohej manipulimi emocional që po ndodhë me ta
Petrit Zogaj, analist, ka propozuar që diasporës së Kosovës t’i hiqet e drejta e votës.
Zogaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se vota e diasporës është e pamoralshme, e padrejtë, pasi thotë se qytetarët që jetojnë në Londër e Berlin nuk mund ta përcaktojnë pushtetin politik për një qytetar që jeton në Prishtinë.
“Diasporës se Kosovës duhet t’i hiqet e drejta e votës. Kushdo qe e merr një iniciativë të tillë do te duhej me u përkrah para se gjithash nga qytetaret qe jetojnë në Kosovë. Është interes kombëtar qe ky debat të fillohet në Kosovë dhe atë sa me shpejt që është e mundur. E drejta e votës për diasporës është e pamoralshme, e padrejtë për qytetaret brenda Kosovës dhe thellësisht hipokrite. Është e padrejtë që një qytetar që jeton në Londër, Berlin e Paris t’ia përcaktojë pushtetin politik një qytetari qe jeton ne Prishtinë”, ka thënë Zogaj.
Ai ka thënë se kjo masë do të zvogëlonte manipulimin emocional që ndodh ndaj diasporës për qëllime politike.
“Është hipokrite që njerëzit që jetojnë jashtë Kosovës, ku janë pjesë e sistemit politik, ekonomik e social, t’ia përcaktoje qytetarit brenda Kosovës se çfarë sistemi politik, ekonomik e social do të duhej të jetojë. Diaspora mund te ketë mendim se çfarë po ndodh në Kosovë dhe se si po qeveriset ajo, por jo edhe të ketë fuqinë e votës qe të ndikojë direkt ne sistemin politik brenda. Kjo mase do te zvogëlonte ketë manipulimin emocional që po ndodh për nja kohë të gjatë me diasporën për qëllime te pastra pushteti”, ka thënë Zogaj. /Gazeta Express
Lajmet Zogaj: Diasporës duhet t’i hiqet e drejta e votës, do të zvogëlohej manipulimi emocional që po ndodhë me ta >> Rahoveci INFO.