Zemaj: Në aspektin politik kemi super-kriminelë, sepse Kushtetuta në Kosovë është shkelur dhjetëra herë
Deputeti i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Armend Zemaj, tha se në aspektin politik vendi ynë ka super-kriminelë sepse sipas tij Kushtetuta është shkelur me dhjetëra herë nga ministrat e Qeverisë, por dhe nga Qeveria në tërësi.
Këtë deklarim Zemaj e bëri sot gjatë diskutimit të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ku edhe është publikuar raporti “Mosveprimi i Kuvendit shkel të drejtat e 90,696 zyrtarëve publikë dhe rrezikon buxhetin shtetëror”.
“Me ndryshimet e reja sigurisht do të ketë edhe qasje të re edhe asnjëherë nuk kisha dashtë me u përsëritë, tash nuk mundemi me marrë shembuj të këqinj, po ai që e shkel ligjin është kriminel, pastaj ai që e shkel Kushtetutën është super-kriminel. Dhe tash ne në aspektin politik kemi super-kriminela sepse Kushtetuta është shkel gati ka mbërri 10 herë vetëm nga ministrat e kësaj Qeverie dhe Qeveria në tërësi”, ka thënë Zemaj.
Deputeti i LDK-së theksoi se këtë frazë nuk po e përdorë si një frazë, por siç tha, po e përdorë si shembull të keq nga i cili duhet mësuar në mënyrë që të vazhdohet ndërtimi i institucioneve dhe integrimi i Kosovës në Evropë.