Zbardhet axhenda e takimeve të Ramës me shqiptarët në Greqi
Mediat greke kanë zbardhur axhendën e takimeve që kryeministri Edi Rama do të zhvillojë nesër në Athinë, ku në fokus do të jetë bisedimi me emigrantët shqiptarë të Greqisë.
Protothem.gr raporton se autoritetet helene kanë hartuar një plan të mirëfilltë për mbarëvajtjen e sigurisë së vizitës së Ramës në Athinë, ndërsa theksojnë se bëhet fjalë për masa të rrepta sigurie.
Takimi me emigrantët shqiptarë do të nisë pas mbërritjes së tij në aeroportin “Eleftherios Venizelos” në orën 8.30-9.00 të mëngjesit.
Qindra punonjës policie (MAT, EKAM, OPKE, DIAS, Siguri, Qarkullim) do të jenë në dispozicion për të siguruar kalimin e sigurt të Edi Ramës në vendin ku do të zhvillohet fjalimi dhe për ta mbrojtur atë deri në momentin e largimit të tij, shkruajnë mediat greke.
Edi Rama do të jetë i shoqëruar nga afërsisht 150 persona, midis tyre do të jenë anëtarë të kabinetit të tij, deputetë dhe 50 gazetarë, të cilët do të shkojnë direkt në sallën Cristmas Theatre në stadiumin e Galatsi.
Fjalimi i Ramës në Galatsido të mbahet rreth orës 11:00, sakaq Rama do të zhvillojë gjatë ditës edhe takime me bashkatdhetarë, anëtarë të partisë së tij dhe biznesmenë, si dhe do të shpërndahen broshurat për marrëdhëniet dypalëshe.
Pas përfundimit të takimeve, Rama do të pijë kafe me kolegët e tij në Galatsi, ndërsa në orën 18:00-19:00 pasdite do të shkojë në aeroport për t’u larguar nga Athina.
Rama njoftoi pak ditë më parë se do të nisë një tur takimesh me shqiptarët që jetojnë në Greqi, Itali, Gjermani dhe Angli.
Por takimi më i diskutuar mbetet ai në vendin fqinj Greqinë, pasi prej vitit të kaluar marrëdhëniet mes dy vendeve janë të tensionuara për shkak të arrestimit të kryetarit të zgjedhur të bashkisë së Himarës Fredi Beleri i cili është dënuar nga gjykata e shkallës së parë për akuzën e blerjes së votave në zgjedhjet lokale që u zhvilluan në 14 maj të 2023.
Lajmet Zbardhet axhenda e takimeve të Ramës me shqiptarët në Greqi >> Rahoveci INFO.