Xhiroja e katërt-Sonte përballet fituesi i Kupës me kampionin e Kosovës
E gjithë vëmendja, sa i takon xhiros së katërt të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve, do të jetë në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.
Në këtë arenë, sonte nga ora 19:00 zhvillohet derbi mes Kastriotit dhe Rahovecit.
Pra përballen fituesi i Kupës së Kosovës dhe kampioni i Kosovës.
Kampioni, Rahoveci, ka fituar tri ndeshjet e para, duke përfshirë derbin e madh me Besa Famgasin.
Fituesi i Kupës, Kastrioti, ka luajtur dy ndeshje deri më tani. Humbi nga Besa Famgas e fitoi ndaj Vjosës. Por ferizajasit janë të përkushtuar që në derbin me Rahovecin të dëshmojnë se paraqitja e zbehtë në Pejë ishte moment i keq e jo pasqyrë e forcës dhe formës së tyre.
Ndeshja do të transmetohet drejtpërdrejt në RTV21 Plus.
Të shtunën është edhe ndeshja Trepça – Besa Famgas, që fillon në ora 18:00. Pejanët nuk pritet të kenë telashe për të arkëtuar dy pikë të reja. Të dielën nga ora 18:00 është takimi Vjosa – Llapi, ndërsa Vushtrria e Prishtina takohen të hënën nga ora 20:00.