Vuçiq e Vuçeviq reagojnë pas vendimit të Kosovës për heqjen e kufizimit në Merdare

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën se pret që autoritetet e Kosovës të “bëjnë më të mirën” për të parandaluar qarkullimin e lirë të mallrave dhe shërbimeve serbe, pavarësisht heqjes së ndalesës për produktet serbe në pikëkalimin kufitar në Merdare.

“Është e rëndësishme për ekonominë serbe, por a do ta bëjnë më të mirën për të vënë bllokada – po. Ai [kryeministri i Kosovës, Albin Kurti] do t’i shpikë tani skanerët, dhe do të presë për 22 muaj tjerë, dhe do të shpikë diçka tjetër”, ka thënë Vuçiq më 7 tetor.

Kurti ka bërë të ditur më herët gjatë ditës së autoritetet e Kosovës e kanë hequr ndalesën në mallrat prej Serbisë në pikën në Merdare, dhe deri në arritje të skanerëve të avancuar, do të kryhen kontrolle të rrepta për të parandaluar hyrjen e çdo malli që mund të rrezikojë sigurinë e vendit.

Sipas Kurtit, masa kufizuese nuk ka qenë asnjëherë tregtare, por masë e sigurisë.

“Ne duhet të ndërmarrim masa të sigurisë, asnjëherë masa tregtare… ne besojmë që ndryshimi i masës është mëse i mjaftueshëm që pasnesër në CEFTA, dhe të hënën në Proces të Berlinit, të kemi sukses të plotë”.

Ai e ka pranuar se masa kufizuese ka pasur efekt në tregti, por këtë fakt e ka përshkruar si “pasojë” dhe jo “qëllim” të Qeverisë.

Kurti ka thënë se pret nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian që t’i ndihmojnë Kosovës në sigurim të skanerëve në kufi, për të garantuar që mallrat që hyjnë prej Serbisë nuk përbëjnë rrezik për sigurinë.

Qeveria e Kosovës e kishte vendosur ndalesën ndaj importit të mallrave nga Serbia në korrik të vitit 2023 për arsye “sigurie”, pasi tre policë të Kosovës ishin arrestuar nga policia serbe. Megjithëse ata ishin liruar më vonë, vendimi për mallrat serbe kishte mbetur në fuqi.

I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë në fillim të shtatorit se kjo ndalesë bllokon punën e CEFTA-s, dhe se, për shkak të saj, Kosova mund ta rrezikojë pjesëmarrjen në Procesin e Berlinit.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë e ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës, sepse, sipas saj, ndalesa ka pasur ndikim negativ në interesat komerciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka thënë për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS) se vendimi i Kosovës për heqje të ndalesës për mallrat e Serbisë në Merdare, e ka larguar tensionin që ka ekzistuar për kohë të gjatë, dhe që gjëja më e rëndësishme tani është që serbët të mund të pranojnë me rregull furnizimet ushqimore, dhe ilaçet.

Ai ka thënë se mbështet secilin veprim që ndikon në përmirësim të kushteve të jetesës për serbët në Kosovë.

“Është përpjekje e mirë e palës gjermane, e cila e ka vënë në pah fazën e re të marrëveshjes së CEFTA-s. Ne jemi gjithmonë gati për marrëveshje, nuk mendojmë që kompromiset janë të këqija, sidomos nëse krijojnë kushte më të mira për serbët në Kosovë dhe Metohi”, ka thënë Vuçeviq nga Shkupi.

Në javët e fundit, Gjermania ka këmbëngulur se ndalimi i importit të mallrave nga Serbia dëmton Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe Procesin e Berlinit, një nismë që synon të ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe t’i afrojnë ato me Bashkimin Evropian.

Kosova ka qenë pjesë e Procesit të Berlinit që nga themelimi i tij në vitin 2014, dhe disa nga marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të kësaj nisme rajonale janë marrëveshja për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, diplomave universitare, kualifikimeve profesionale dhe bashkëpunimit në fushën e transportit, energjisë. ekologjinë, dixhitalizimin dhe roamingun.

Kosova është anëtare e CEFTA-s prej vitit 2007, por është e përfaqësuar përmes misionit të OKB-së në vend – UNMIK.

Kurti ka thënë të hënën se pret që në takimin e radhës, Kosova do të përfaqësohet me emrin e vet.

Qeveria e Kosovës ka kërkuar edhe në të kaluarën që emri të ndryshohet, ndërsa Gjermania ka ofruar “zgjidhjen” në këmbim të heqjes së ndalesës për importin e mallrave nga Serbia.

Sarrazin theksoi se pranë emrit të Kosovës do të kishte një yll, ose një fusnotë, që tregon se statusi i Kosovës nuk është zgjidhur përfundimisht./rel

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Test

Please consider supporting us by disabling your ad blocker