Vuçeviq: Kurti kot mundohet, serbët nuk do të thyhen

Kryeministri serb, Millosh Vuçeviq ka reaguar pas aksionit të sotëm në veri.
Ai tha se “terrori i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti ndaj popullit serb nuk ka fund, por se edhe kjo lëvizje nuk do t’i thyejë serbët” dhe se “shteti i Serbisë qëndron përkrah tyre”.
“Sikur të mos mjaftonin lëvizjet e tij të mëparshme, të drejtuara ekskluzivisht kundër serbëve, për t’ua vështirësuar jetën normale, qëndrimin dhe mbijetesën në Kosovë, kështu që në ditën e dytë të Krishtlindjeve ai vazhdoi veprimet dhe provokimet e tij të dhunshme”, theksoi Vuçeviq.
Ai tha se bastisja dhe mbyllja e degës së Administratës Tatimore të Ministrisë së Financave të Serbisë në Mitrovicë të Veriut është “e turpshme dhe e papranueshme dhe se serbët në Kosovë nuk kanë qetësi as në këtë festë të madhe të krishterë”.
Vuçeviq theksoi se Kurti, megjithatë, duhet ta dijë se këto “lëvizje patetike dhe mjerane nuk do t’i shtypin serbët në Kosovë”.