Vrasjet e fundit, Haradinaj fajëson shtetin

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vrasjeve të fundit në Kosovë.
Ai në Facebook ka thënë se kjo amulli në rritje, e përkthyer në dhunë dhe vrasje, nuk është ajo Kosova që e dëshiron.
“Është shqetësues niveli i vrasjeve kohët e fundit në Kosovë-katër në vetëm dy ditë. As edhe një nuk do duhej të ndodhte në Kosovën e lirë. Kemi humbur shumë jetë në luftë për të mos humbur as edhe një në paqe. Dora e shtetit duhet të ndihet, para së gjithash, në sigurimin e rendit dhe qetësisë. Kjo amulli në rritje, e përkthyer në dhunë dhe vrasje, nuk është Kosova që duam”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se siguria e qytetarëve duhet të jetë prioriteti numër një.
“Kjo sjellje në masë është reflektim i institucioneve kryesore të shtetit, të cilët të parët nuk respektojnë rend, ligj e prokurori, duke i “trimëruar” kriminelët të të gjitha natyrave përmes amnistimit të sjelljes kriminale të shefit të shtetit. Ky është efekti zinxhiror i sjelljes banditeske nga i pari; Kosovën po e kthen në një shtet ku jeta dhe mirëqenia e qytetarëve janë jashtë kontrollit. Siguria e qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti numër një, dhe shembulli duhet të vijë nga ata që kanë institucionet në duar”, ka shkruar Haradinaj, raporton KosovaPress.
Kujtojmë, tri vrasje kanë ndodhur në Vushtrri dhe një në Prishtinë gjatë javës së fundit.