Votimi i sotëm në Kuvend – ditë e zezë për lirinë e mediave
Organizata vendëse e ndërkombëtare, kanë reaguar pas votimit të Projektligjit të KPM-së.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë se miratimi i tij është goditje ndaj lirisë së medies dhe tentim për disiplinim e kontroll të tyre.
“Lëvizja Vetëvendosje e Kryeministrit Kurti, e ka miratuar ligjin me kuorumin minimal, dhe pa prezencën e opozitës në sallë. Partia politike në pushtet nuk i ka marrë parasysh vërejtët e shoqërisë civile e medieve, dhe ka shpërfillur Raportin e ekspertes së Këshillit të Evropës, që ka konstatuar se pjesa më e madhe e Ligjit nuk i përmbushë standardet evropiane, duke përfshirë ato të Këshillit të Evropës ku Kosova synon anëtarësimin. Një gjë e tillë, u theksua sot para votimit edhe nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Votimi i sotëm është prej goditjeve më të mëdha që Qeveria e Kosovës dhe Vetëvendosje ka bërë kundër lirisë së medies në Kosovë, në një përpjekje të nisur qysh prej fillimit të mandatit për disiplinimin dhe kontrollimin e tyre. Votimi i sotëm do të ketë një tjetër efekt negativ në renditjen e vendit në raportet ndërkombëtare të fushës. AGK-ja, bën thirrje për përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore dhe kushtetuese për ta kundërshtuar hyrjen në fuqi të ligjit”, thuhet në reagim.
Ricardo Gutierrez, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, ditën e sotme e ka quajtur “ditë të zezë për lirinë e mediave dhe demokracinë në Kosovë”.
“Parlamenti sapo e kaloi ligjin për media (Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave) pavarësisht këshillave nga KiE, BE, OSBE dhe EFJ që të mos e bëjnë. Sot është një ditë e zezë për lirinë e mediave dhe demokracinë në Kosovë. Partitë opozitare politike e kanë bojkotuar seancën”, shkroi Gutierrez në platformën X.
Ndërkohë, Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, ka shprehur shqetësim lidhur me disa prej aspekteve të miratimit të sotëm të ligjit të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) nga Kuvendi i Kosovës.
“Aftësia për operim të pavarur dhe profesional ka qenë çelës i besueshmërisë dhe autoritetit të saj. Për këtë qëllim, ekspertët ndërkombëtarë të së drejtës së medias, në emër të Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian dhe OSBE-së, kanë paraqitur rekomandime të detajuara për përafrimin e ligjit me standardet ndërkombëtare. Megjithatë, për fat të keq, shumica e këtyre rekomandimeve nuk janë pasqyruar në ligjin e miratuar”, ka thënë misioni i OSBE-së në Kosovë.
Rekomandimet kryesore të ekspertëve që nuk janë marrë parasysh, OSBE-ja thotë se kanë nxitur shqetësime rreth dispozitave të reja, të cilat do të kenë ndikim në përbërjen, rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së, si dhe në procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj dhe kushtet e shërbimit për të zgjedhurit.
Po ashtu, thuhet se nuk janë marrë parasysh as rekomandimet për rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së gjatë fushatave zgjedhore.
“Shtrirja e kompetencave të KPM-së në mediat sociale, shoqëruar me mungesën e kritereve të qarta për bllokimin e përmbajtjeve të dëmshme, ngre shqetësime për proporcionalitetin dhe mund të ketë implikime për lirinë e shprehjes. Janë bërë disa përpjekje për t’i rishikuar disa dispozita për të arritur qartësi juridike dhe për të futur masa mbrojtëse procedurale, por ende mungojnë mekanizmat efektivë të vetërregullimit në ligj”.
OSBE thotë se ndonëse e mirëpret miratimin e rregulloreve në lidhje me pronësinë dhe përqendrimin e medias, “konsiderojmë se, ashtu siç janë hartuar tani, u mungon qëndrueshmëria procedurale”.
Ekspertët ndërkombëtarë, sipas OSBE-së, kanë paraqitur komentet dhe rekomandimet e tyre në përpjekje për të siguruar që ky ligj i ri jo vetëm që do të pasqyronte standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira, por edhe do t’i shërbente qëllimit, do të forconte Komisionin e Pavarur të Mediave dhe do të ruante pavarësinë tejet të rëndësishme të këtij organi.
Misioni i OSBE-së thotë se vazhdon të mbështesë me përkushtim Kosovën në përafrimin e legjislacionit të saj me standardet më të larta ndërkombëtare.
Thotë po ashtu se është me rëndësi që ligji i sapo miratuar t’i nënshtrohet një shqyrtimi gjithëpërfshirës, gjatë të cilit duhet të kërkohen pikëpamjet e ekspertëve kosovarë dhe ndërkombëtarë.
“Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm, si gjithmonë, të mbështesim KPM-në me këshilla të ekspertëve dhe ngritje të kapaciteteve”, ka thënë Misioni i OSBE-së në Kosovë.
Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe atë për Komisionin e Pavarur të Mediave.
“Përpjekjet e përsëritura të këtij pushteti për kapjen dhe nënshtrimin e institucioneve të pavarura të drejtësisë si dhe kontrollimin e mediave dhe të fjalës së lirë, e morën formën e vendimit me miratimin e dy ligjeve në seancën e sotme. Prandaj, sigurisht se do të shfrytëzojmë mekanizmat kushtetues për ti dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave në mënyrë që të sigurohemi për respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Tahiri.
Lajmet Votimi i sotëm në Kuvend – ditë e zezë për lirinë e mediave >> Rahoveci INFO.