Virusi i Nilit arrin edhe në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se deri më tani në Kosovë janë raportuar gjithsej 4 raste laboratorike të konfirmuara me ethet e Nilit Perëndimor.
“Rasti i parë i importuar është konfirmuar me datë 07.08.2024 tek një banor i komunës së Fushë Kosovës. Rasti i dytë është autokton, është konfirmuar me datë 09.08.2024, tek një banor i Bardhit të Madh të komunës së Fushë Kosovës. Rasti i tretë po ashtu është autokton, është konfirmuar me datë 30.08.2024, tek një banor i Prizrenit. Rasti i katërt është rast i importuar, është konfirmuar me datë 05.09.2024, tek një banore e Fsh. Rufc i Vjetër të komunës së Lipjanit. Të gjitha raste janë trajtuar në Klinikën Infektive dhe pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore janë liruar në shtëpi”, thuhet në njoftim.
IKSHPK ka thënë se mbikëqyrja sezonale ndaj Virusit të Nilit Perëndimor (WNV – West Nile Virus) në Evropë kryhet nga muaji qershor deri në muajin nëntor, pra në sezonin e përhapjes së mundshme kur ka prani masive të mushkonjave si vektorë të sëmundjes.
Ndërsa, bazuar në raportimin në Sistemin Evropian të Mbikëqyrjes (TESSy) që nga fillimi i vitit 2024 deri me 5 shtator 2024, 15 vende në Evropë raportuan raste humane të infektimit me virusin e Nilit Perëndimor: Shqipëria, Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Rumania, Serbia, Spanja dhe Turqia.
Virusi i Nilit Perëndimor (West Nile Virus – WNV) transmetohet nga pickimi i mushkonjave te zogjtë. Njerëzit dhe gjitarët gjithashtu mund të infektohen, megjithëse rreth 80% e infeksioneve humane nuk kanë simptoma. Shumica e rasteve humane paraqiten midis korrikut dhe shtatorit kur mushkonjat janë aktive.
Rreth 20% e infeksioneve WNV tek njerëzit mund të shkaktojnë ethet e Nilit Perëndimor (West Nile Fever – WNF), e karakterizuar me: dhimbje koke, ethe, mialgjia, të vjella, skuqje, lodhje, dhimbje e syve. Më pak se një për qind mund të shkaktojë sëmundje neuroinvazive të Nilit Perëndimor që prek sistemin nervor.
Faktorët e rrezikut përfshijnë: moshat e shtyra, tumoret në tru, presionin e lartë të gjakut, çrregullime të gjakut, diabetit, sëmundjet e veshkave, abuzimi me alkoolin, faktorët gjenetikë. Shkalla e vdekshmërisë në mesin e njerëzve që zhvillojnë sëmundje neuroinvazive të Nilit Perëndimor mund të jetë deri në 17%.
Lajmet Virusi i Nilit arrin edhe në Kosovë >> Rahoveci INFO.