VIDEO / “Rozalba”, streha e vajzave të dhunuara në Shqipëri

Në Shqipëri dhuna ndaj grave dhe vajzave vijon të mbetet shqetësuese. Për të zbutur pasojat e saj në disa zona të vendit janë ngritur qendra rezidenciale dhe strehëza, shtetërore e private. Një prej tyre, qendra private “Rozalba” në Lezhë, që varet nga bashkësia e motrave Venerini në Romë, prej 8 vitesh ka strehuar mbi 50 vajza. Ato që trokasin në dyert e kësaj shtëpie të referuara nga Shërbimi Social Shtetëror, janë viktima të dhunës në familje, të abuzimeve, braktisjes, dhe vajza të mbetura jetime, pa prindër. Zëri i Amerikës bisedoi me disa prej tyre si dhe me drejtuesen e kësaj qendre, Motër Alma Zogun.

Në Shqipëri dhuna ndaj grave dhe vajzave, vijon të mbetet një sfidë për shoqërinë. Peshën më të madhe të dhunës ndaj tyre e mban ajo në familje. Gjatë viteve të fundit ka një rritje të lehtë dhe shifrat vijojnë të mbeten shqetësuese. Rreth 3800 gra dhe vajza në vit dhunohen në familje. Autoritetet dhe organizatat joqeveritare kanë shtuar përpjekjet për t’u ardhur në ndihmë, përmes ofrimit të disa shërbimeve, strehëzave apo qendrave ditore, në disa rajone.

Qendra private Rozalba është një prej tyre. E vendosur në afërsi të qytetit të Lezhës, ajo strehon aktualisht 20 vajza që vijnë nga situata të ndryshme, nga disa zona të vendit. Kryesisht ato janë viktima të dhunës, të braktisjes, të abuzimeve dhe vajza të mbetura jetime, pa prindër. Zëri i Amerikës bisedoi me disa prej tyre, të cilat sjellin dëshmi tronditëse.

(Zëri i Amerikës, përdori disa emra jo të vërtetë për vajzat në kushtet e ruajtjes së anonimatit të tyre)

“Arsyeja kryesore pse kam ardhur këtu ka qënë dhuna në familje, e cila më ka bërë shumë të vuajë në jetë. Kur kam ardhur tek shtëpia “Rozalba”, kam kuptuar se çfarë është në të vërtetë një familje, çfarë është të duash dhe të të duan, dhe me u mirëprit”- u shpreh Ermira.

“Të jesh e abuzuar për 10 vjet e gjysmë është e vështirë për një fëmijë të moshës time. Por kur vjen këtu çlirohesh nga të gjitha frikërat, streset dhe kupton se çfarë do të thotë familje”- u shpreh Majlinda.

“Vij nga një familje që nuk ka ditur të më dojë, nuk më ka përkrahur asnjëherë. Mendova që atje do të më shuheshin të gjitha ëndrrat e mija që kam pas për jetën dhe shkollën”- tha Pranvera.

“Humba të dy prindërit dhe më është dashur të luftoj për të patur mundësi për të ngrënë. Më është dashur të luftoj shumë për të patur mundësi për t’u shkolluar. Por falë ndihmës që më dhanë gjeta mundësinë të vij këtu tek shtëpia Rozalba. Kam ardhur bashkë me dy motrat e mija”- u shpreh Suzana.

Të gjitha këto dëshmi po ndiqeshin në distancë nga Motër Alma Zogu, e cila përlotet sa herë i dëgjon.

Vajzat që mbërrijnë në shtëpinë Rozalba e cila varet nga Bashkësia e motrave Venerini në Romë, dhe Dioqeza e Sapës, kanë vështirësi të mëdha psikologjike dhe shëndetësore, dhe nuk kanë besim tek askush.

“Nuk besojnë tek dashuria, nuk besojnë që jeta është dhuratë. Vështirësia e parë është ajo psikologjike. Ato nuk kanë besim tek askush. Vijnë shpeshherë me probleme të mëdha të shëndetit të kequshqyerjes. Vijnë me probleme me mësimnxënien. Ka vajza të cilat ndoshta nuk kanë frekuentuar kurrë shkollën. Pra, mund të themi se problematikat e tyre janë psikologjike, shëndetësore dhe të lidhura dhe me formimin e tyre”- u shpreh për Zërin e Amerikës, Motër Alma Zogu, drejtuese e qendrës “Rozalba”.

Motër Alma Zogu, tregon për Zërin e Amerikës se puna për të shëruar plagë të thella të zonës si ajo e trafikimit të qenieve njerëzore, kryesisht të vajzave ka nisur që prej vitit 1994, nga motrat Venerini.

“Vajzat zhdukeshin dhe askush nuk dinte ku përfundonin”- vijoi Motër Alma Zogu.

Ajo thotë se puna e tyre derë me derë ishte e pamjaftueshme dhe se në vitin 2015, e nxitur dhe nga Shërbimi Social Shtetëror u krijua Qendra Rozalba. Ajo ka mirpritur mbi 50 vajza, të referuara nga strukturat shetërore, të moshave nga 1 deri në 18 vjeç, disa prej të cilave e kanë kapërcyer këtë prag, drejt universiteteve në Itali dhe SHBA, dhe kurseve profesionale në vend që i përgatit ato, drejt ecjes së sigurt në jetë. Për tu dhënë atyre më të mirën pasi siç shprehet motër Alma Zogu, nuk mjafton vetëm një strehë, krevat dhe ushqim, ka dhe një staf me psikologë, psikoterapist, punonjës socialë apo edukatorë.

“Mund të themi se nuk është një ecje e thjeshtë. Nuk është ecje e shkurtër, është ecje e gjatë, por terapia më e mirë që fillon dhe i shëron këto vajza është fakti se ato kuptojnë se i duan dhe kanë një familje që nuk do t’i lërë kurrë më vetëm”- thotë Motër Alma Zogu, drejtuese e qendrës “Rozalba”.

Ato ndjekin në qendër dhe kurse të ndryshme, në fushën e artit, sportit, apo dhe për lëndët ku hasin vështirësi.

“Këtu ke mundësi të shpalosësh talentet e tua, mua më pëlqen kitara, piktura”- thotë Majlinda, njëra nga vajzat që strehohet në qendrën Rozalba.

“Nuk më kanë refuzuar asnjëherë që të më bëjë të ndjehem e mërzitur, jo e lumtur. Që kur kam shkelur në shtëpinë Rozalba asnjëherë nuk kam qarë”- tha Pranvera, një tjetër vajzë për Zërin e Amerikës.

Një nga angazhimet e zakonshme të vajzave të shtëpisë së “Rozalbës” i përket natyrës. “Falë një projekti kemi arritur ndërtimin e një sere e cila është totalisht në shërbim të shtëpisë “Rozalba”. Shpeshherë edhe pse sera ka punëtorin e saj, shkojmë me vajzat dhe kalojmë disa orë së bashku në natyrë”- vijoi Motër Alma Zogu.

Një hapësirë e konsiderueshme në shtëpinë “Rozalba” zë dhe qendra ditore rinore, e mbështetur dhe nga Bashkia e Lezhës, që shfrytëzohet nga 110 të rinj të zonës, të cilët krah vajzave rezidenciale, ndjekin gjithashtu, kurse të ndryshme, apo kryejnë mësimet nën mbikqyrjen e mësuesve të posaçëm. Por i gjithë ky përkushtim ka nevojë për mbështetje financiare. Qendra Rozalba duhet t’i sigurojë vetë fondet. Dhe këtu qëndron vështirësia më e madhe.

“Duke qenë se për shtetin konsiderohet qendër private, një nga vështirësitë më të mëdha është përthithja e fondeve nga qeveria shqiptare. Akoma nuk është në logjikën e qeverisë fakti që kjo qendër është në shërbim të shtetit. Në gjithë këto vite kemi bërë betejë të fortë dhe vetëm këtë vit arritëm të përthithim nga fondi social një projekt që mbulon vetëm 40% të shpenzimeve të qendrës. Zakonisht ne funksionojmë me projekte, me donacione. Nuk është realitet i lehtë, pas pandemisë e gjithë bota është në emergjencë”- thotë Motër Alma Zogu, drejtuese e qendrës “Rozalba”.

Deri tani shtëpia “Rozalba” ja ka dalë falë donatorëve, por e ardhmja mbetet e pasigurt.

“Kemi nevojë që shumë të bashkohen për një kauzë të tillë sepse jemi në shërbim të atyre që familja i ka lënë në rrugë, që shoqëria i ka braktisur, të atyre që gjenden papritur vetëm në jetë. Shoqëria e sotme vuan nga diçka që nuk jep dhe merr dashuri. Mendoj se po të ishte dashuria e vërtetë nuk do të ishim këtu dhe nuk do të kishim nevojë për shtëpinë Rozalba”- u shpreh Motër Alma Zogu, drejtuese e qendrës “Rozalba”.

Ka shumë dashuri në këtë familje të madhe. Vetëm ajo e shtyn me forcë jetën para, thonë vajzat. T’u rikthesh buzëqeshjen dhe shpresën për të ardhmen, ka qenë dhe është mision i vështirë, por jo i pamundur. Secila prej tyre sot ka ëndrrat e saj, të cilat deri pak vite më parë ishin thyer. Nën këtë çati me emrin “Rozalba”, ato ja dolën t’i rindërtojnë ato dhe të projektojnë të ardhmen me besim e guxim.

“Unë shpresoj shumë që të studioj IT, teknologjinë”- tha Majlinda.

“Mua më pëlqen inxhinieria dhe psikologjia”- u shpreh Suzana.

“Dëshira ime është të vazhdoj financë – kontabilitet”- tha Pranvera.

“Dua të bëhem avokate, të mbroj personat që janë abuzuar pasi nuk dua t’u ndodhë e njëjta gjë”- u shpreh Ermira. /VOA

Lajmet VIDEO / “Rozalba”, streha e vajzave të dhunuara në Shqipëri >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>