Vetëvendosje nuk dëshiron zgjedhje të reja , Abrashi: Janë opsioni i fundit

(Lajm i përditësuar)
Vetëvendosje nuk dëshiron zgjedhje të reja , Abrashi: Janë opsioni i fundit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, në emisionin “Click” në RTV21 tha se zgjedhjet e reja nuk janë të dëshirueshme për Lëvizjen Vetëvendosje.
“Por nëse vërtet shihet se nuk ka asnjë mundësi rrugëdaljeje nga kjo bllokadë, nuk ka asnjë gatishmëri për të reflektuar në mënyrë racionale nga partitë bllokuese, atëherë zgjedhjet janë gjithashtu brenda kornizës demokratike. Mirëpo, nuk janë të dëshirueshme, besoj se janë opsioni i fundit”, tha Abrashi.
Kundërshtimi për votimin e fshehtë, Abrashi: Partitë opozitare nuk po iu besojnë deputetëve të tyre
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, në emisionin “Click” në RTV21, duke folur për votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, tha se është proces edhe më demokratik.
“Krijon kushte që deputetët, të cilët ndodhen nën presion të padrejtë nga lidershipi i partive të tyre, ta manifestojnë vullnetin e vet pa pasur frikë nga ndëshkimi. Andaj, mendoj që kundërshtimi kategorik që i bëjnë votimit të fshehtë lidhet me mosbesimin që partitë opozitare kanë te deputetët e tyre”, tha ai.
Abrashi: Abdixhiku po ka frikë të ulet në tavolinë me Kurtin
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, në emisionin “Click” në RTV21 tha se lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, po ka frikë të ulet në tavolinë me kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin.
“Pse shtrohet pyetja? Shikoni, ne jemi në demokraci. Takimet ndërmjet kundërshtarëve politikë në një shtet që thirret në vlera të demokracisë nuk janë të pazakonta”, tha ai.
“[Abdixhiku] as me u ulë në tavolinë nuk do, ndërkohë që nënkryetari i tij nuk e ka problem që të ulet me përfaqësuesit më të lartë të Kishës Ortodokse Serbe, që e kundërshtojnë pavarësinë, ulen dhe i çakërrojnë gotat me popat serbë, por me Kurtin e kanë problem”, tha ai.
“Hendeku është i madh”- Abrashi tregon pse nuk ka ofertë bashkëpunimi me PDK-në
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, në emisionin “Click” në RTV21 u pyet pse nuk i dërguan letër Partisë Demokratike për t’i ofruar bashkëpunim në qeverisje.
Abrashi tha se një gjë e tillë madje as nuk është diskutuar brenda partisë.
“Ndonjëherë nuk ka nevojë të flasësh për gjërat që shihen. Nuk është sekret që ekziston një hendek i madh mes nesh dhe PDK-së… e kaluara jonë dhe raportet tona ndërmjet veti, qoftë nga pozicioni i pushtetit apo i opozitës, kanë qenë të tilla që nga qasja destruktive e tyre kanë krijuar një situatë , nuk po them të pamundshme, por të vështirë, që të mund të ekzistojë një raport bashkëpunimi, e lërë më bashkëqeverisje mes nesh. Thashë, çfarë situatash mund të krijohen e kemi vështirë të parashikojmë, por aktualisht konsideroj që nuk janë rrethanat që ne t’i dërgojmë ftesë PDK-së, të paktën kështu e shoh unë”, tha ai.
Abrashi i LVV-së këmbëngul: Bllokuese është opozita
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, në emisionin “Click” në RTV21 e quajti sagë politike zhvillimet në Kuvendin e Kosovës.
Ai fajësoi opozitën për bllokadë politike.
Kur u pyet pse nuk po e ofrojnë një kompromis, Abrashi përmendi ofrimin e bashkëpunimit për koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Vetëvendosje është i vetmi subjekt politik që nuk është interesuar për të bllokuar situatën, ndërkaq partitë opozitare, PDK, LDK, AAK, janë bllokuese”, tha Abrashi.
“Gatishmëria jonë për të dalë nga kjo situatë shkon deri në atë pikë sa i kemi bërë ofertë për koalicion një partie… kemi bërë hapat e parë”, tha Abrashi./Rahoveci INFO