Vetëm 29 vjeçe, në luftë me kancerin, momenti i vështirë i Luna Methasanit: U fshija lotët prindërve

Historia e humbjes së hallës në moshën 29-vjeçare nga kanceri dhe më pas vetë sëmundja e saj vitin e shkuar, i ka mësuar Luna Methasanit rëndësinë esenciale të shëndetit. Vajza e madhe e gazetarit Dëfrim Methasani u përball gjatë vitit të shkuar me kancerin, një luftë që tashmë e ka fituar.

Gjatë rrëfimit të saj për “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare”, Luna e kujton mirë momentin e vështirë të diagnostikimit. Mjekët ia bënë me dije fare thatë se gjendja ishte kritike, por për të ishte edhe më e vështirë që t’u jepte kurajë prindërve.

Luna Methasani: Siç e përmenda, prindërit dhe gjyshërit e kanë humbur një vajzë në moshën 29 vjeçe e unë isha pikërisht 29 kur u diagnostikova. Kur kam pyetur mjekun, më ka thënë që “nuk është gjenetike dhe pak rëndësi ka nëse është gjenetike apo jo, ky ishte fati yt”.

Ardit Gjebrea: Ta treguan mjekët?

Luna Methasani: Po, ma treguan dhe isha përballë mjekut, në dhomë me të, me të dy prindërit dhe ma tha direkt në fytyrë: “Më vjen shumë keq, por ti je diagnostikuar me kancer. Duhet urgjent të fillojmë kimioterapinë, por para kësaj duhet të bëjmë një operacion”. Më shumë sesa vetja Ardit, më beso, më dhimbseshin prindërit e mi, më dhimbseshin gjyshërit dhe unë nuk kisha kurrsesi zgjidhje tjetër përveçse të vazhdoja të isha shumë e fortë sepse pse jo, mund t’ia dilja dhe siç e shihni jam këtu, ia dola.

Luna shton se kjo sëmundje lidhet fort me anën psikologjike të njeriut. Mjekët nuk garantojnë kurrë për shanset e mbijetesës, pasi forca psikologjike dhe vendosmëria luajnë një rol thelbësor në luftën ndaj saj.

Luna Methasani: Njeriu bëhet i fortë.

Ardit Gjebrea: Ku e gjen?

Luna Methasani: Brenda vetes. Ndala për një çast dhe mendova “çfarë zgjidhjeje kam unë tani?” Në momentin që na tha mjeku, mamaja ime lëvizi nga dhoma e mjekut duke qarë. M’u dhimbs në shpirt. Babi nuk mund të fliste nga lotët, nuk mund të reagonte, po qante me ngashërim. Besoj që momenti më i vështirë ai kur u kam fshirë lotët dhe u kam dhënë kurajë kur unë sapo e kisha marrë vesh, nuk kishte kaluar as një minutë nga momenti që unë e kisha marrë vesh që isha sëmurë dhe u thashë “ju mos u mërzisni, keni lindur një luftëtare të fortë dhe unë do t’ia dal. Ka plot raste që ia kanë dalë”. Prandaj doja që të jepja një mesazh force për të gjithë ata që ndoshta përballen apo larg qoftë mund të jenë në një situatë të tillë, ka gjithmonë dritë në fund të tunelit, ka gjithmonë shpresë sepse njeriu është shumë i fortë.

Ardit Gjebrea: Dua të vij të të përqafoj!

Gjebrea niset me vrap drejt Lunës për ta përqafuar. Pas këtij momenti emocionues, ajo ndan edhe episodin e rënies së flokëve nga kimioterapia që fatmirësisht tashmë gjithçka ka kaluar dhe flokët po rikthehen.

Luna Methasani: Edhe për ta përfunduar, momenti shumë i vështirë psikologjik ishte kur të binin flokët. Aty pashë në pasqyrë një Luna që nuk e njihja, por i thashë vetes “ej Luna, ti je një version tjetër i imi me të cilin unë duhet të mësohem dhe që do të jesh forca ime për të vazhduar përpara”.

“E ndiej që të kam rënduar”, mesazhi prekës i Lunës për Dëfrim Methasanin

Me shumë lot dhe emocione ishte momenti i parë i ‘takimit’ babë e bijë përmes ekranit të “Ka Një Mesazh Për Ty”. Luna, vajza e gazetarit Dëfrim Methasani rrëfeu shumë episode të jetës së tij profesionale e familjare në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” si dhe sëmundjen e saj.

Viti i fundit ka qenë shumë sfidues për familjen e tyre pas diagnostikimit të Lunës me kancer, por fatmirësisht gjithçka ka kaluar. Luna u shpreh se i ka kërkuar të atit që gjithçka të mbetej diskrete, edhe pse më pas lajmi rrodhi. Megjithatë, ajo e ka ndier peshën e kësaj kërkese dhe sot ka një falenderim e mirënjohje të tejskajshme që dëshiron t’ia përcjellë të atit.

Luna Methasani: Hej babito! Po kush më shumë sesa ti meriton një mirënjohje dhe një falenderim publik për gjithçka që ti ke bërë jo vetëm për mua, për familjen, për miqtë, për shokët, për fisin, për të gjithë ata që të njohën e të deshën, për të gjithë ata njerëz në nevojë që ti i ke ndihmuar? Se ti e ke zemrën shumë të madhe, shumë të bardhë dhe unë jam shumë e lumtur dhe krenare që jam edukuar me këtë frymë nga ti, patjetër edhe nga mami. E ndiej që vitin e kaluar të kam rënduar paksa sepse krahas dhimbjes së madhe që ndieje për evlatin tënd të sëmurë, kishe edhe përgjegjësinë e mbulimit të kostove shum të larta, me shumë zero nga prapa dhe ti i vetëm nuk do mund t’ia dilje nëse nuk do ishe ky Dëfrimi që je sot, me kaq shumë miq dhe që ke bërë kaq shumë për njerëzit e që po këto miq kaq të mirë, ky farefis kaq i madh që ti je ajo ura e komunikimit, që ti ke bërë kaq shumë për ta e ata nuk të lanë në baltë as këtë herë.

Kështu që dua të të them sot faleminderit që ekziston se je shoku im më i mirë, je energjia dhe forca që të gjithë ne, sidomos familja kemi nevojë të të kemi… falë teje, falë Zotit dhe falë mjekëve unë jam këtu sot, e ulur përballë teje duke të thënë që të dua pafund. Madje tani që je bërë gjysh je bërë edhe shumë argëtues, di të tregosh histori shumë të bukura imagjinare me Matiasin dhe Ninës sepse të paktën me ta po mbush atë kohën që për shkak të të gjithë angazhimeve të tua të shumta dhe sakrificave të mëdha që ke bërë në jetë nuk ke mundur të na mbash në krahë se na lije në gjumë e na gjeje në gjumë, por ja ku jemi sot se na ke edukuar të jemi njerëz të mirë, njerëz të besës, njerëz mirënjohës dhe mirënjohja më e madhe shkon për ty sot. Të paça sa malet dhe të dua shumë!

Lajmet Vetëm 29 vjeçe, në luftë me kancerin, momenti i vështirë i Luna Methasanit: U fshija lotët prindërve >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>