Vazhdimi i seancës konstituive, PDK: Nuk do ta mbështesim kandidaturën e Haxhiut

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shprehur qëndrimin e saj të palëkundur kundër kandidaturës së Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), raporton KosovaPress. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka theksuar se Kosova nuk duhet të bllokohet për shkak të “egos së një personi”.
Deliu-Kodra ka theksuar se interesi i vendit duhet të jetë mbi interesat e individëve.
“Nuk mund që për ego të një personi të përveçëm Kosova të bllokohet tash e sa kohë. Republika e Kosovës është më e madhe se emri i Albulena Haxhiut, se emri i Kurtit dhe secilit qytetarë në këtë vend. Prandaj, do të jemi nesër në seancë, qëndrimet tona janë publike, do të veprojmë në formën e njëjtë, nuk do të mbështesim kandidaturën e Haxhiut. Dhe do të kërkojmë që një gjë e tillë të bëhet në bashkëpunim dhe marrëveshje me partitë politike në Kuvendin e Republikës së Kosovës për të dalë nga ky ngërç, që ka një emër. Është ngërç i krijuar nga LVV, koalicioni LVV, Alternativa dhe Lista Guxo. Kemi ofruar gatishmërinë tonë për të provuar të ulemi e të ofrojmë zgjidhje si të dalim nga kjo situatë, fatkeqësisht ka mungesë të vullnetit politik nga Albin Kurti dhe koalicioni i tij për të nxjerrë Kosovën nga situata që gjendemi sot”, ka thënë Deliu-Kodra.
Ndërsa ka folur edhe për propozimin e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që votimi i kryetarit të bëhet me votim të fshehtë. Deputetja e PDK-së ka theksuar se këtë praktikë të devijimit të procedurave nuk e ka parë në asnjë shtet demokratik dhe ka paralajmëruar se një veprim i tillë mund të ketë pasoja të rrezikshme për demokracinë e Kosovës.
“Nuk mund që me arbitraritet të theksuar një subjekt politik të provojë të instalojë diktat, e para të imponojë një kandidat që nuk merr besimin e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, e dyta të shkel procedurat, një proces që ka filluar tash e sa kohë, që është procesi i votimit për të zgjedhur kryekuvendarin, të provojë që të ndikojë në procedurat e brendshme të Kuvendit e të ndryshojë formën e votimit. Kjo nuk ndodh në asnjë shtet demokratik, nuk ka ndodhur asnjëherë, dhe është precedent i rrezikshëm për mënyrën se si këta e shohin shtetin”, ka shtuar ajo.
Ajo po ashtu ka nënvizuar se Rregullorja e Kuvendit është e qartë dhe çdo tentativë për të ndryshuar procedurat për të fituar kohë është e papranueshme.
“Jam deputete e zgjedhur prej vitit 2010, në memorien time si parlamentare asnjëherë të vetme, ne s’kemi pas përpjekjeje për të devijuar procedurat apo për të shkel ato, në një proces i cili ka filluar para sa kohe. Sot me saktësi Rregullorja e Kuvendit flet se kur mund të ndodhë një votim i fshehtë, thotë se subjekti politik që ka provuar të devijojë nga procedurat, ka bërë përpjekjeje për të blerë kohë, sepse, e dimë që kandidatja në fjalë nuk arrin të marrë votat”, ka thënë Deliu-Kodra.
Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, kishte propozuar se votimi i kryetarit të Kuvendit duhet të bëhet me votim të fshehtë.
Ky propozim u refuzua nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe. Deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan të konstituojnë legjislaturën e nëntë edhe në tentimin e nëntë. Propozimi i kryesuesit të seancës, deputetit të LVV-së, Avni Dehari për votim të fshehtë të kryeparlamentarit, nuk kaloi. Pas kësaj, LVV-ja nuk e propozoi fare kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe seanca u ndërpre. Dehari tha se vazhdimi i seancës do të bëhet më 3 maj, të shtunën.