Ushtria amerikane vret 15 anëtarë të IS-it në Irak
Në një operacion të përbashkët të forcave amerikane dhe irakiane janë vrarë 15 anëtarë të grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), në perëndim të Irakut. Komanda Qendrore amerikane tha se shtatë trupa amerikane janë plagosur gjatë operacionit.
Operacioni shënjestroi udhëheqës të IS-it dhe rezultoi “në vdekjen e 15 operativëve të IS-it” dhe “nuk ka indikacione për vdekje të civilëve”, tha Komanda Qendrore amerikane.
Në njoftimin e publikuar në X tha se anëtarët e IS-it ishin “të armatosur me një sërë armësh, me granata e me mjete tjera shpërthyese” dhe se forcat irakiane po vazhdojnë të kontrollojnë lokacionet e bastisura.
Ushtria amerikane nuk ka më shumë detaje për lokacionin ku u krye operacioni.
Ushtria amerikane tha se të shtatë ushtarët amerikanë janë evakuuar për trajtim mjekësor. Të gjithë ata janë në gjendje stabile, tha një zyrtar i mbrojtjes.
“IS-i vazhdon të paraqesë kërcënim për rajonin, për aleatët tanë, por edhe për atdheun tonë. Komanda Qendrore amerikane së bashku me koalicionin tonë dhe partnerët irakianë, do të vazhdojnë në mënyrë agresive të ndjekin këta terroristë”, tha Komanda Qendrore amerikane.
Ky operacion u zhvillua pasi për muaj të tërë Bagdadi dhe Uashingtoni kanë zhvilluar bisedime për praninë e forcave të koalicionit kundër xhihadistëve në Irak.
Pavarësisht qëllimit të Irakut që të ketë tërheqje të plotë të trupave të koalicionit, ende nuk është bërë publike ndonjë datë.
SHBA-ja ka afër 2.500 trupa në Irak dhe 900 në Sisi si pjesë e koalicionit ndërkombëtar në luftën kundër IS-it.
Lajmet Ushtria amerikane vret 15 anëtarë të IS-it në Irak >> Rahoveci INFO.