UEFA e hedh poshtë ankesën e Serbisë për dënimet e 11 dhjetorit

Shtëpia e futbollit europian (UEFA) ka hedhur poshtë ankesën e Federatës së Futbollit të Serbisë për dënimet e marra për ndeshjen e 15 nëntorit ndaj Zvicrës.
Vendimi i konfirmuar nga UEFA nënkupton po ashtu që Serbia nuk ka të drejtë të shesë bileta për tifozët e saj për ndeshjen ndaj Shqipërisë në Tiranë
Gjobat më të mëdha ndaj serbëve ishin për fyerjet ndaj Kosovës e shqiptarëve.
Dhe ato dënime janë vërtetuar të premten nga Organi i Apelimit i UEFA-s. Në fakt, Federata serbe kishte paraqitur ankesë ndaj vendimit të 11 dhjetorit, ankesë që është refuzuar nga Apeli i Konfederatës Evropiane të Futbollit.
“Refuzohet ankesa e Federatës së Futbollit të Serbisë. Rrjedhimisht konfirmohet vendimi i Trupit të Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës së UEFA-s, i datës 11 dhjetor 2024”, shkruan në vendim.
Për sjellje raciste dhe diskriminuese të shikuesve të saj, Federata e Futbollit e Serbisë ishte dënuar që të mos shesë bileta për tifozët serbë për dy ndeshjet e radhës të Serbisë në udhëtim. Për këtë shkelje, po ashtu Federata serbe u gjobit me plot 50 mijë euro.
Pra Federata e Futbollit e Serbisë për shkeljet e shumta të huliganëve serbe në Zurich duhet të paguajë plot 119 mijë e 750 euro.
UEFA gati vazhdimisht e dënon federatën serbe për fyerjet dhe panot anti-Kosovë.
Apeli i UEFA-s ka konfirmuar edhe dënimin e Federatës serbe për shkeljet e bëra në ndeshjen ndaj Danimarkës, të zhvilluar më 18 nëntor. Të dy ndeshjet ishin të vlefshme për Ligën e Kombeve të UEFA-s.