U vodhën në Kosovë, do përdoreshin për krim në Shqipëri, policia bllokon veturat
Policia e Shtetit ka sekuestruar në Rrëshen dy automjete të cilat ishin të vjedhura në Kosovë dhe dyshohet se do të përdoreshin për qëllime kriminale.
“Blutë” kanë vënë në pranga 34-vjeçaren, Alketa Pjetri, që dyshohet se i ka trafikuar në Shqipëri, 2 automjetet me targa kosovare.
Po ashtu është proceduar penalisht administratori i një servisi në Rubik, i cili kishte fshehur automjetet.
Njoftimi:
Rrëshen/Si rezultat i punës së inteligjencës policore, në vijim të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për parandalimin e ngjarjeve kriminale, u finalizua operacioni i koduar “Suspicion”.
Sekuestrohen 2 automjete të vjedhura në Kosovë, që dyshohet se do përdoreshin për qëllime kriminale, në Rrëshen.
Vihet në pranga 34-vjeçarja që dyshohet se ka trafikuar në Shqipëri, 2 automjetet me targa kosovare.
Procedohet penalisht administratori i servisit në Rubik, ku u gjetën këto 2 automjete.
Si rezultat i punës së inteligjencës policore, kontrolleve dhe hetimeve që po kryhen me intensitet, në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë kanë goditur një rast të trafikimit të automjeteve të vjedhura, për t’i përdorur për qëllime kriminale.
Për rastin u vu në pranga shtetasja A. P., 34 vjeçe, banuese në Rubik, për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”, pasi dyshohet se me anë të mashtrimit, ka trafikuar nga Kosova në Shqipëri, 2 automjete, tip “BMW” dhe “Volkswagen”, me targa kosovare, të cilat dyshohet se do të përdoreshin për qëllime kriminale, në Rrëshen.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga veprimtaria kriminale”, për shtetasin D. P., banues në Rubik, pasi dyshohet se ka fshehur në servisin e tij, në Rubik, 2 automjetet e trafikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Lajmet U vodhën në Kosovë, do përdoreshin për krim në Shqipëri, policia bllokon veturat >> Rahoveci INFO.