Turneu ndërkombëtar i karatesë mbledh 46 klube me 280 paraqitje

Për 25 herë radhazi, po mbahet sot turneu ndërkombëtar në karate “Xhevat Makolli”, me moshat nga shtatë deri në 16 e lartë, si dhe kategorinë open, në të cilin janë pjesëmarrës 46 klube e 280 paraqitje.
Komisarja e garave nga Federata e Karatesë së Kosovës, Luljeta Shala, tha për KosovaPress, se ka mundur të jetë më masive si turne, por për shkak të kampionatit shtetëror të Shqipërisë, nga Shqipëria kanë munguar klubet.
Shala konsideron se është një organizim shembullor me konkurrencë të kënaqshme.
“Ky është turneu i 25-të me radhë për nder të një kontribuuesi shumë të madh të karatesë, Xhevat Makolli. Kjo garë është nën patronatin e Federatës së Karatesë të Kosovës, pjesëmarrës në ditën e sotme janë 46 klube, 280 paraqitje. Ka pasur mundësi që të jetë më masiv se herëve të tjera, mirëpo shteti shqiptar ka kampionatin shtetëror dhe është dashur ta mbajnë, dhe po vërehet mungesa e disa klubeve të tyre. Përndryshe, numër solid, konkurrencë e kënaqshme, organizim shembullor”, tha Shala.
Shala shtoi se në kategorinë open, ku garuesit pavarësisht moshës apo peshës garojnë në të njëjtën disiplinë, çmimet ndahen me nga 100 e 50 euro, medalje, diplomë, titull e 100 pikë në tabelë si për klubin, ashtu edhe për garuesin.
“Startojnë nga mosha shtatë e deri te seniorët dhe mbaron me kategorinë open apo absolute ku të gjithë garuesit pavarësisht moshës apo peshës garojnë në të njëjtën disiplinë. Në kategoritë open janë çmimet 100 euro dhe 50 euro, varësisht prej kategorisë. Si stimulim fitojnë medaljen, diplomën, titullin. Është një garë zyrtare, është 100 pikë në tabelë si për klubin, ashtu edhe për garuesin”, shtoi ajo.
Mbështetëse e këtij turneu është edhe Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sportit.