Tre kosovarë në akuzë për trafik municioni

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq dosjen për trafikimin e 203 kallëpeve tritol C4, të ardhura nga Kosova përmes një pazari të organizuar nga një agjent i infiltruar i policisë.
Të pandehurit Rigon Maliqi, Shkëlqim Halabaku dhe Lion Pira janë arrestuar, ndërsa Dritëro Azemi dhe Flaka Avdullahi janë shpallur në kërkim.
Një sasi prej 203 kallëpe tritoli C4, e kapur në muajin Shkurt të vitit të kaluar në ambientet e një karburanti në zonën e Fushë-Krujës, rezulton të jetë blerë kundrejt një shume prej 40 mijë euro në Kosovë.
Por eksplozivi ishte dërguar nga Prishtina në Fushë-Krujë, për llogari të një agjenti të infiltruar nga policia e Tiranës, i cili kishte mbyllur pazarin me trafikantët e armëve se kundrejt sasisë së municionit dhe armatimit do paguante plot 40 mijë euro.
Për këtë episod të trafikimit të lëndëve shpërthyese në sasi të mëdha,prokuroria e Tiranës tashmë ka mbyllur hetimet dhe dosjen penale kundër të arrestuarve Rigon Maliqi, Shkëlqim Halabaku dhe Lion Pira, e ka dërguar për shqyrtim gjyqsor në Gjykatën e Tiranës.
Ndërsa për dy personat e tjerë Dritëro Azemi dhe Flaka Avdullahi, të shpallur në kërkim për këtë episode trafikimi, hetimet janë ndarë.
Sipas dosjes hetimore njeriu që ka porositur sasinë e tritolit është agjenti i koduar “A”. Punonjësi i policisë rezulton se ka rënë në kontakt me kosovarin Dritëro Azemin, i cili është njeriu kryesor që kryente tregtinë e armëve mes dy vendeve.
Sipas materialit të siguruar del se për marrjen e sasisë së eurove Dritëro Azemi, ka dërguar në Shqipëri shokun e tij Rigon Maliqi nga qyteti i Gjilanit në Kosovë.
Ndërkohë për të qenë i sigurt, Dritëro Azemi, i ka vënë dhe një shoqëruese Rigon Maliqit, shtetasen Flaka Rustemi, e cila do e shoqëronte për të marrë sasinë e eurove.
Sipas dokumenteve Dritëro Azemi, telefonon Rigon Maliqin, duke i thënë se donte ta takonte në Prishtinë pasi kishte një punë urgjente me qëllim që të shoqëruar një vajzë për në Tiranë.
Gjatë kohës që ata kanë qenë duke biseduar Rigoni është telefonuar gjatë gjithë kohës nga Lioni.
Më pas Lioni së bashku me djalin tjetër dhe Flaka Avdullahi, janë larguar me makinë nga karburanti dhe në të njëjtën kohë aty ka shkuar policia, e cila ka bërë arrestimin e Rigonit.
Lion Pira, është arrestuar më pas në zonën e Kukësit dhe bashkë me të dhe Shkëlqim Halabaku./oranews