Titull: Murati: Janë alokuar 2.7 milionë euro për transportin publik – dezinformuese deklaratat e Komunës së Prishtinës
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se Ministria e Financave ka alokuar tashmë 2.7 milionë euro në kategorinë “mallra dhe shërbime” për pagesën e operatorëve të transportit publik në Prishtinë, sipas vendimit të Kuvendit Komunal për përdorimin e të hyrave vetanake.
Murati thotë se kjo shumë është proceduar veçmas nga pjesa tjetër prej 25.9 milionë euro të projekteve kapitale, me qëllim që pagesa të kryhet me prioritet gjatë ditës së sotme. Sipas tij, projektet kapitale kërkojnë më shumë kohë për shkak të procedurave të gjera buxhetore.
Ai theksoi se vendimi i Komunës së Prishtinës, i marrë të enjten mbrëma, duhej të kalonte fillimisht verifikimin e ligjshmërisë nga MAPL-ja, ndërsa për shkak të natyrës financiare, edhe nga Ministria e Financave. Murati tha se ky proces është kryer “në afat rekord” nga të dyja ministritë, duke përmbushur zotimin e dhënë para sindikatave të transportit publik.
Sipas tij, përshpejtimi i procedurave nuk ka qenë i mundur më herët, pasi e premtja dhe fundjava nuk përbënin ditë pune. Ai shtoi se Departamenti i Buxhetit ka qenë sot në kontakt të vazhdueshëm me Komunën e Prishtinës për të siguruar një proces të shpejtë dhe transparent, duke theksuar se zyrtarët komunalë kanë qenë të njoftuar në çdo fazë.
Murati kritikoi Komunën e Prishtinës për, siç tha ai, deklarata dezinformuese ndaj ministrisë, duke pretenduar se alokimi nuk po bëhej.
“Është për keqardhje sjellja e deklaratat dezinformuese nga ana e Komunës së Prishtinës… kur edhe ata vetë e dinë që kemi të bëjmë me procedura që nuk mund të tejkalohen,” shkroi ai.
Në fund, ministri në detyrë uroi që komuna të ketë vlerësuar saktë obligimet financiare me vendimin për ndarjen e 2.7 milionë eurove, dhe të shlyejë të gjitha borxhet ndaj operatorëve të transportit publik, “që të marrë fund farsa për bllokadën e pretenduar”.
Lajmet Titull: Murati: Janë alokuar 2.7 milionë euro për transportin publik – dezinformuese deklaratat e Komunës së Prishtinës >> KosovaNews.


