Thaçi i përgjigjet Haradinajt: AAK-ja dhe partitë e ish-opozitës janë bllokuesit politik

Deputeti i LVV-së, Halil Thaçi, i është kundërpërgjigjur akuzave të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, për shkaktim të krizës politike për shkak të mos formimit të institucioneve të reja.
Sipas deputetit Thaçi në një intervistë për RTV21 partitë e ish-opozitës përfshirë edhe AAK-në janë shkaktarët e bllokadës duke mos votuar kandidatin e LVV-së për kryeparlamentar.
“Edhe qytetarët e dijnë se kush është bllokusi i vërtetë i konstituimit të Kuvendit. Bllokuesit e vërtetë janë ata që nuk po votojnë. Pra, opozita e vet zoti Haradinaj me subjektin e tij politik. Ai është hera e 35 nesër që mblidhemi në Kuvend dhe opozita ku bënë pjesë edhe subjekti i zotit Haradinaj nuk po e votojnë konstituimin e Kuvendit, nuk po e votojnë as edhe komisionin për votim të fshehtë brenda Kuvendit. Prandaj, unë konsideroj se opozita është duke u përkatitur dhe duke bërë presion që një ditë të bëjë koalicion me Listën Serbe, pra ta arsyetoj koalicionin me Listën Serbe duke bërë një presion të tillë”, tha Thaçi.
Deputeti Thaçi për RTV21 ka komentuar edhe deklaratat e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili në një paraqitje publike ka thënë se edhe nëse Gjykata Kushtetuese vendos që të votohet kryeparlamentari me votë të fshehtë, ai dhe deputetët e partisë së tij do të tregojnë publikisht për votën kundër Albulena Haxhiut. Sipas deputetit Thaci kjo qasje është shantazhuese dhe presion mbi deputetët e Kuvendit.
‘’Deklarata e zotit Abdixhiku e tregoi shumë qartë se në cfarë presioni e trysnie janë deputetët e opozitës në përgjithësi. Ai tha që edhe nëse Gjykata Kushtetuese vendos që të votohet me votim të fshehtë ne do t’ua tregojmë kamerav se si po votojnë. Pra, ky është një lloj shatazhi që po i bëhet deputetëve të opozitës. E them shumë qartë, mos cofsha nën lëkurën e atyre deputetëve që shantazhohen prej liderit të tyre” tha deputeti Thaçi. /Rahoveci INFO