Tërmeti në Turqi dëmton Kalanë e Gaziantepit

Tërmeti vdekjeprurës i së hënës në Turqinë juglindore pothuajse ka shkatërruar një kështjellë 2000-vjeçare të ndërtuar gjatë Perandorisë Romake.
Kalaja e Gaziantepit është ndërtuar në shekujt II dhe III, para se të bëhej muze, raporton BBC, përcjell Rel.
Më shumë se 3.400 njerëz kanë humbur jetën në Turqi dhe Siri nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.8 ballësh të Rihterit, i cili i goditi të dyja vendet mëngjesin e hershëm të së hënës dhe lëkundjet tjera pas tij.
Disa nga fortifikimet e kështjellës janë shkatërruar nga tërmeti, ka thënë agjencia shtetërore turke e lajmeve Anadolu.
Kalaja u ndërtua nga romakët gjatë shekujve II dhe III, më pas u forcua dhe u zgjerua nga perandori bizantin, Justiniani I, në shekullin e 6-të.
Ajo luajti një rol të rëndësishëm gjatë luftës së Turqisë për pavarësi në fillim të shekullit të 20-të.
Deri vonë kjo kala ka shërbyer si Muzeu Panoramik i Mbrojtjes dhe Heroizmit të Gaziantepit.