Ten Hag: Mos më gjykoni tani
Erik ten Hag ka kërkuar që t’i jepet afat deri në fund të sezonit si trajner i Mançester United pasi i duhej një gol i barazimit nga Harry Maguire për të shpëtuar një barazim 3-3 në Porto në Ligën e Evropës të enjten.
Ten Hag ishte nën presion të madh përpara udhëtimit në Portugali, pasi vetëm dy fitore nga gjashtë ndeshjet e para të sezonit të United në Premier League, i lanë ata në vendin e 13-të në tabelë.
“Djajtë e Kuq” kanë barazuar gjithashtu dy ndeshjet e tyre të para të Ligës së Evropës për të zënë vendin e 21-të në tabelën me 36 ekipe.
“Ne do të arrijmë atje, mos na gjykoni në këtë moment,” tha Ten Hag. “Na gjykoni në fund të sezonit. Ne do të përmirësohemi, kemi dy sezone ku arritëm finalet. Vetëm prisni, ne do ta zhvillojmë dhe do ta përparojmë këtë ekip”, shtoi ai.
Ten Hag e ka mbrojtur ashpër rekordin e tij pasi fitoi Kupën e Ligës dhe FA Cup në dy sezonet e tij të para në “Old Trafford” – duke i dhënë fund thatësirës gjashtëvjeçare pa trofe të United.