Të arratisurit të pakapshëm! A ka Grubi mbrojtje politike nga Shqipëria?

Vizita private” jashtë shtetit, siç pretendoi Grubi, po del të jetë më e gjatë se sa vet ai që e paralajmëroi. Zërat se ai po fshihet në Shqipëri, nuk i mohojnë dhe as nuk e pohojnë nga Policia e Shtetit shqiptar.
Sipas Ministrisë së brendshme të Shqipërisë, ai nuk është i evidentuar në asnjë nga vendkalimet kufitare në hyrje të territorit shqiptar, ndonëse në fundjavë thuhet se është parë në një pikë karburanti atje.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se nuk pret që Artan Grubi do të ketë mbrojtje politike nga Shqipëria.
Ai theksoi se ish-zëvendëskryeministri Grubi ndiqet nga prokuroria për dyshimet e bazuara të kryerjes së kriminalitetit financiar dhe korrupsionit dhe gjykata i ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
“Këtu nuk bëhet fjalë për çështje politike, por ashiqare që ka diçka ndryshe nga politika, përkatësisht ekziston dyshimi i bazuar për kryerje të veprave kriminale. Nuk pres që ajo do të ndodh, por ky është vendim i atyre, të cilët do të hynin në një procedurë të tillë. Nuk kam këtu çfarë të shtoj apo të heq!”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai në “DailyClick” tha se Grubi u “dogj” nga lideri i tij Ali Ahemti, për të shpëtuar Sasho Mijallkovin, kushëririn e ish-kryeministrit në arrati Nikolla Gruevskit.
“Futja në listën e zezë amerikane të të Aran Grubit, bashkë me gjyqtarin e Mijallkovit, Bexheti, u bë për shkak të Sahsho Mijallkovit sepse ata kanë ndikuar në gjyqësor për të amnistuar Sashon dhe për ta mbajtur atë si aktor politik në vend, mbase nga njëfar nostalgjie që e kanë nga ajo periudhë”, u shpreh Arben Fetai – zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë.
Pak orë para se të filloj aksioni policorë i 15 dhjetorit, Grubi në shoqërim të një afaristi vendas, i cili në cilësinë e konsullit të nderit me makinë me targa diplomatike, kaluan përmes vendkalimit të Bllacës për në Kosovë. Pas kontrollit të brendshëm të MPB-së, nga puna suspendohet polici B. J., i cili nuk verifikoi nëse ai kishte masën aktive “ndalo dhe njofto menjëherë”. As video-materiale nuk ka në atë periudhë kur Grubi ka kaluar në Bllacë, ku arsyetimi i shefit të këtij vendkalimi, ka qenë se pajisjet nuk kanë pasur bateri. Dy ditë më pas u lëshua flet-arrest ndërkombëtar për arratisjen e tij dhe të ish-drejtorit të Lotarisë së Maqedonisë, Përparim Bajrami. /TV21