Tahiri: Rritja e paralajmëruar e pagave, s’i mbulon dështimet e Qeverisë

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se rritja e paralajmëruar e pagave nga janari nuk i mbulon dështimet në rënien e standardit të jetesës.
Në një postim në Facebook Tahiri ka shkruar se kjo rritje është e vogël.
“Kjo rritje e premtuar është tejet e vogël për të sanuar sado pak nivelin e varfërisë së ekonomive familjare i cili është rezultat i rritjes së çmimeve të produkteve, çmimit të energjisë elektrike, rritjes së tatimit në pronë dhe politikave të gabuara që kjo qeveri i ka miratuar”, ka thënë Tahiri në një shkrim në Facebook.
Tahiri ndër tjera ka thënë se kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, sa ishte ministër i Financave i kishte rritur pagat në përqindje më të madhe.