Sylvinjo publikon listën, ka befasi
Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë dy ndeshje në shtator ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë, të vlefshme për Ligën e Kombeve.
Përgatitjet për dy ndeshjet e para në Grupin B1 do të nisin të hënën më 2 shtator, teksa trajneri Sylvinho ka publikuar sot (e premte) listën me 24 lojtarë të grumbulluar.
Përsa i përket portës janë Thomas Strakosha, Alen Sherri dhe Simon Simoni.
Në mbrojtje rikthehet futbollisti i Partizanit, Andi Hadroj. Emrat e tjerë që përbëjnë repartin e prapavijës janë Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Marash Kumbulla, Ardian Ismajli dhe Enea Mihaj.
Në repartin e mesfushës dhe të sulmit ka dy risi.
Trajneri Silvinjo ka vendosur të thërrasë për herë të parë në Kombëtaren A mesfushorin Sebastjan Spahiu dhe sulmuesin Agim Zeka.
Të dy futbollistët më parë kanë qenë pjesë e Shqipërisë U-21.
Spahiu aktivizohet në Iran me skuadrën e Mes Rafsanjan, ndërsa Zeka në kampionatin “Abissnet Superiore” me Partizanin.
Pjesa tjetër e lojtarëve që përbëjnë repartin e mesfushës dhe të sulmit janë Ylber Ramadani, Amir Abrashi, Kristjan Asllani, Medon Berisha, Qazim Laçi, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Jasir Asani, Rey Manaj, Armando Broja dhe Taulant Seferi.
Befasi e madhe është mos-ftesa e sulmuesit nga Kosova, Mirlind Daku, i cili po kalon formë të lartë me Rubin Kazanin, ndërsa në listë nuk gjenden as Ernest Muçi, Myrtu Uzuni, Keidi Bare dhe Arlind Ajeti.
Grumbullimi i lojtarëve do të nisë që të dielën në Tiranë me futbollistët që do të përfundojnë më herët impenjimet me skuadrat e tyre, ndërsa grupi i lojtarëve pritet të jetë i plotë të hënën më 2 shtator.
Seancat stërvitore do të zhvillohen në “Shtëpinë e Futbollit”, ndërsa të premten kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Çekisë, aty ky më 7 shtator do të luhet ndeshja e parë në Grupin B1 ndaj Ukrainës, në stadiumin “Epet Arena”, në orën 20:45.
Tri ditë më pas më 10 shtator, Kombëtarja shqiptare do të luajë ndaj Gjeorgjisë në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:45.
Lajmet Sylvinjo publikon listën, ka befasi >> Rahoveci INFO.