Sulmi ndaj ambasadës shqiptare në Ukrainë, ShBA: E dënojmë me forcë goditjen e selive diplomatike

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dënuar sulmin që ndodhi në ambasadën shqiptare dhe ambasadat e pesë vendeve të tjera në Ukrainë nga goditja ajrore e Rusisë.
Reagimi erdhi nëpërmjet një postimi në platformën X nga Zëdhënësi i DASH, Matthew Miller.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë sulmin me raketa të Rusisë ndaj Kievit sot që vrau një civil dhe dëmtoi një ndërtesë ku priten disa misione diplomatike, duke përfshirë objektet e partnerëve tanë Shqipërinë, Argjentinën, Çekinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Portugalinë”, tha Miller.
Sulmi ndodhi një ditë më parë. Ndërsa njoftimi u bë nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e cila sqaroi se eshtë dëmtuar pjesërisht fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënoi sulmet brutale, ndërsa e quajti aktin të pakuptimtë dhe një sulm ndaj themeleve të vetë diplomacisë ndërkombëtare.
Mbrojtja e personelit diplomatik dhe paprekshmëria e misioneve janë parime të panegociueshme që duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht. Pas ngjarjes ministria jone e Jashtme thirri për sqarime ambasadorin rus në Tiranë./vizionplus.tv