Sulme të reja ruse në lindje të Ukrainës

Forcat ruse kanë nisur sulme të reja ndaj qyteteve në lindje të Ukrainës, Bahmut dhe Avdijavka, duke u mbështetur nga zjarri i artilerisë, tha Shtabi i Përgjithshëm i forcave të armatosura ukrainase më 27 dhjetor.

Këto sulme të reja vijnë teksa presidenti ukrainas, Volomdymyr Zelensky, tha se miliona civilë janë në errësirë dhe në të ftohtë, pasi Moska ka goditur linjat elektrike dhe infrastrukturën civile.

Forcat ruse kanë kryer dy sulme ajrore dhe 44 sulme me raketa ndaj pozicioneve ukrainase dhe zonave të banuara gjatë 24 orëve të fundit, tha Shtabi i Përgjithshëm. Sipas shtabit, janë goditur 25 vendbanime përreth Bahmutit dhe Avdijavkës, që janë dy pikat qendrore ku Rusia po e përqendron ofensivën e saj në Donjeck.

Luhansku dhe Harkivi janë dy rajonet e tjera, përveç Donjeckut, ku Rusia po sulmon vazhdimisht, tha Shtabi i Përgjithshëm. Ndërkaq, në rajonin jugor të Hersonit, Rusia ka bombarduar zonat e banuara në pjesën e djathtë të Lumit Dnjepër, tha ushtria ukrainase.

Ushtria ukrainase tha se i është përgjigjur një sulmi rus pranë Novobilozerkës, në rajonin e Zaporizhjës.

Ministria e Mbrojtjes së Britanisë tha se gjatë dy ditëve të fundit, Luhansku dhe Donjecku kanë qenë subjekt i sulmeve më të rënda ruse, por Moska ka pasur pak sukses.

“Gjatë 48 orëve të fundit, luftimet kanë vazhduar të përqendrohen përreth Bahmutit në Donjeck dhe afër Svatovit në Luhansk. Rusia vazhdon të kryejë sulme të shpeshta në këto zona, edhe pse nuk ka shumë ndryshim sa i përket se kush e kontrollon territorin”, tha inteligjenca britanike.

Ndërkaq, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se afër 9 milionë persona kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të sulmeve ruse.

Megjithatë, ai shtoi se falë përpjekjeve të inxhinierëve dhe teknikëve ukrainas, reduktimet e energjisë janë duke u zvogëluar.

Duke folur për situatën në frontin e luftës, Zelensky tha se Bahmuti dhe Avdijivka janë zonat që kërkojnë forcën dhe përqendrimin maksimal.

“Situata atje është e vështirë, e dhimbshme. Pushtuesit po përdorin të gjitha burimet që kanë në dispozicion për të avancuar”.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe që nga tetori ka sulmuar vazhdimisht infrastrukturën e energjisë ukrainase.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!