Studentët serbë sot mbajnë protestën kundër Vuçiqit, ky paralajmëron arrestime

Dhjetëra mijëra qytetarë nga e gjithë Serbia priten t’i bashkohen tubimit anti-korrupsion në Beograd të shtunën, çka paraqet pikën kulmuese të muaj protestash që kanë lëkundur pushtetin e presidentit autokrat, Aleksandar Vuçiq.

Tensionet janë të larta, ndërsa mbështetësit e presidentit janë mbledhur në kamp në një park para pallatit presidencial. Vuçiqi ka paralajmëruar se zyrtarët e sigurisë do të përdorin forcë kundër njerëzve në tubim.

Vuçiqi ka theksuar se protestuesit asnjëherë nuk do ta detyrojnë atë ta lë pushtetin.

“Duhet të më vrisni nëse doni të më zëvendësoni”, kanë qenë fjalët e tij.

Autoritetet janë përballur me protesta pothuaj përditë që nga nëntori kur streha e një stacioni treni u shemb duke lënë të vdekur 15 persona në Novi Sad. Shumica fajin ia kanë hedhur autoriteteve se për shkak të korrupsionit ka ardhur deri te tragjedia.

Protestat kanë qenë paqësore, por Vuçiqi ka pretenduar se protestuesit “do të tentojnë të arrijnë diçka me dhunë dhe ky do të jetë fundi”, derisa ka paralajmëruar se do të ketë arrestime.

Ultranacionalistë, përfshirë anëtarë të ish-milicisë të lidhur me vrasjen e ish-kryeministrit Zoran Gjingjiq më 2003, janë parë në mesin e grupit në kamp afër pallatit.

Gjingjiqi qe vrarë 22 vjet më parë nga një grup policor i njohur si “Beretat e Kuqe”. Ai udhëhoqi protestat që rrëzuan Slobodan Millosheviqin më 2002.

Vuçiqi “ka mobilizuar kriminelë, hajdutë dhe anëtarë të Beretave të Kuqe, duke sjellë njerëz nga Kosova dhe duke i stacionuar në parkun Pionirski, duke e ditur se qindra mijëra do të mblidhen atje të shtunën”, ka shkruar Dragan Gjilas, lider i partisë opozitare “Liri dhe Drejtësi”.

Protestuesit po kërkojnë përgjegjësi për tragjedinë në Novi Sad, si dhe institucione transparente, të bazuara në sundim të ligjit.

Vuçiqi, i cili ka sakrifikuar kryeministrin për ta mbrojtur pozitën e tij, e ka hequr si opsion formimin e një qeverie tranzicionale dhe mbajtjen e zgjedhjeve në gjashtë muaj. Duke u bërë jehonë narrativave ruse, ai i ka përshkruar protestat si të orkestruara nga Perëndimi me qëllimin që ta largojnë atë nga pushteti dhe ta shkatërrojnë Serbinë.

Organizatorët e protestave janë zotuar se protestat do të vazhdojnë pas të shtunës. “Nuk po i marrim hapat e fundit – po bëjmë ndryshime tektonike. Nëse kërkesat tona nuk plotësohen, ne do të qëndrojmë në rrugë, bllokada, në luftë deri kur drejtësia të arrihet”, shkruhet në postimin në Instagram.

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Test

Please consider supporting us by disabling your ad blocker